Ancelotti vendos rekord të ri

Real Madrid fitoi Botërorin për Klube për here të tetë në histori pas suksesit 5-3 ndaj Al Hilal. Trajneri Carlo Ancelotti nuk e fshehu gëzimin e tij në lidhje me fitimin e trofeut të radhës në stolin e “Los Blancos”.
“Jam shumë i lumtur dhe krenar për këtë sukses. Objektivi ynë ishte t’i sillnim Realit të Madridit titullin e tetë të botës, dhe ia dolëm. Ishte një ndeshje e bukur kundër një kundërshtari teknikisht të shkëlqyer.
Ndeshja shkoi ashtu siç e kishim menduar. Treguam lëvizshmëri të madhe në sulm, sidomos falë kontributit të Benzema dhe Valverdes, të dy autorë të një paraqitjeje të jashtëzakonshme”, deklaroi Ancelotti.
Trajneri italian shkroi një tjetër faqe të bukur të historisë si trajner. 63-vjeçari u bë një nga tre trajnerët që fiton tre herë Botërorin për Klube (dy me Realin dhe një me Milanin).
Ancelotti barazoi në këtë mënyrë Pep Guardiolën dhe Carlos Bianchin. I pari fitoi dy herë me Barcelonën dhe një me Bayernin. Ndërkohë, trajneri argjentinas triumfoi dy herë me Boca Juniors dhe një me Velez.