“Termokos” duke u zgjëruar intensivisht, kryeshefi Osmani flet mbi projektet e ndërmarrjes

Punimet për zgjërimin e rrjetit “Termokos” kanë nisur furishëm këtë vit, duke e sjellur këtë ndërmarrje çdo ditë e më shumë afër qytetarëve.
Kryeshefi Ekzekutiv i “Termokosit”, Fisnik Osmani, në një intervistë për Indeksonline ka thënë se që në marrje të detyrës në fund të shtatorit të vitit të kaluar, ka nisur menjëherë angazhimet në terren.
Në kryeqytet po zhvillohen pesë projekte në kuadër të ngrohtores.
“Ngrohtorja momentalisht po zhvillon disa projekte, pesë prej tyre, të gjitha këto në faza të ndryshme. Ajo çka shohin qytetarët gjatë këtyrë ditëve, qe një periudhë relativisht të gjatë, janë punimet të cilat janë në kuadër të zgjërimit të rrjetit, rehabilitimit dhe denzifikimit. Zgjërimi i rrjetit nënkupton zgjërim termik të ngrohtores, në të gjitha ato lagje që ska pasë paraprakisht ngrohje po as rrjet të instaluar, ndërsa denzifikimi nënkupton në lagjët në të cilat ka pasë rrjet të instaluar mirëpo në objekte të ndryshme të cilat kanë qenë jashtë funksionimit të ngrohjes” ka deklaruar Osmani.
Osmani pohon se ka përfunduar me sukses faza e zgjërimit në lagjën “Arbëria”, aty ku do të kyçën më shumë se tridhjetë objekte kolektive banesore dhe se është duke u zgjëruar edhe më shumë gama e furnizimit me ngrohje për qytetarët e Prishtinës.
“Javën që lamë pas, filluam zgjërimin e rrjetit edhe në pjesën e qendrës së qytetit, pra rruga “Luan Haradinaj”, prej ish-Sllovenia Sportit deri të drejtkëndëshi i rrugëve që e lidhë Parkun e Qytetit. Në këtë hapësirë planifikojmë të zgjërohemi diku në më tepër se 64 objekte banesore dhe të gjitha këto do të funksionalizohet prej sezonës së ardhshme. 15 tetor e tutje, ne planifikojmë që të jenë funksionale. Ndërkaq, në pjesën e parë, atë të “Muharrem Fejzës” jemi pothuajse në përfundim. Sot kur po flasim, i kemi të instaluara diku 110 nënstacione dhe disa prej tyre janë në përfundim dhe po e përmbyllim sukseshëm këtë pjesë të instalimit” shtoi ai.
Osmani tha se deri në fund të këtij viti janë planifikuar të kyçën në “Termokos” disa projekte dhe disa lagje. Disa prej tyre janë pjesë e projektit ekzistues që po implementohet, por që ka edhe të tjera që janë futur, pas analizave të kryera, ku ka rezultuar se në rrjet ka akoma “vend” për më shumë njësi të kyçura.
Sa i përket projektit “Prishtina HeatSave”, Kryeshefi i “Termokosit” thotë se ky projekt, që është i pari i këtij lloji në vend, nga viti i ardhshëm, qoftë edhe si pilot-projekt, do të bëjë që ngrohja të faturohet aq sa familjet shfrytëzojnë atë, shtuar edhe faktit që ngrohja do të monitorohet “smart city”, pra në mënyrë të mençur, përmes njësorëve.
Se sa kanë borgje qytetarët e kyçur në “Termokos”, sa synohet të zgjërohet rrjeti e sa të kursehet energjia, dhe shumë detaje të tjera, Osmani ka ndarë detaje në intervistën e mëposhtme./Indeksonline/