75 Mall Live Search
10:42 / E Hënë, 20 Shkurt 2023 / B O

“Më rrihte, donte të më hidhte në pus”- Lihet në burg babai që vrau të birin

Gjykata e Korçës ka dhënë masën e “Arrestit me burg” për 77-vjeçarin Shefki Bylykbashi, i cili mbrëmjen e së premtes masakroi me çekiç djalin e tij 50-vjeçar, Hamdi Bylykbashi.

I moshuari doli përpara Gjykatës me kokën ulur dhe kërkoi nga kamerat që të mos e filmonin.

Sipas avokatit ngjarja ka ndodhur në një situatë të rënduar psikologjike dhe të përsëritur, çka ngre dyshime të forta edhe sipas provave se mund të jetë bërë për vetëmbrojtje.

Autori në gjykatë ka treguar se prej kohësh i biri e rrihte, dhunonte pasi vinte i alkoolizuar. Ai theksoi se ditën e ngjarjes 50-vjeçari deshi t’a hidhte në pus.

“Nuk mendova më dhe reagova! Donte të më hidhte në pus”, tha babai në sallën e gjyqit.

Fillimisht ngjarja e ndodhur në fshatin Zvezdë u raportua si aksidentale, por nga hetimet e thelluara dhe provat e siguruara rezultoi se pasditen e djeshme, 50-vjeçari duke qenë në gjendje të dehur, është konfliktuar në banesë me babanë Shefki Bylykbashi.

Ky i fundit e ka goditur me çekiç në kokë duke bërë që 50-vjeçari të ndërronte jetë.

Edhe në dëshminë e dhënë në polici, 77-vjeçari tha se i biri vinte në gjendje të dehur çdo ditë në shtëpi.