75 Mall Live Search
14:00 / E Martë, 28 Shkurt 2023 / LB

Zëdhënësi i Qeverisë: Raportimi për dokumentin, i referuar si Aneksi i Propozimit Evropian, është i pasaktë

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka reaguar pas raportimeve për dokumentin, i referuar si Aneksi i Propozimit Evropian.

Kryeziu ka thënë se kjo është e pasaktë, pasi që për planin e zbatimit do të zhvillohen tutje diskutime dhe se në takimin e djeshëm ka pasur dakordim për marrëveshjen bazë, e cila tashmë edhe është publike nga vetë BE.

“Raportimi për dokumentin, i referuar si Aneksi i Propozimit Evropian, është i pasaktë dhe i paqëndrueshëm. Për Planin e Zbatimit do të diskutohet e negociohet në takimet e radhës. Do të kemi diplomaci fluturuese të emisarit Lajçakut në Prishtinë e Beograd dhe pastaj takim të shtatë të nivelit të lartë me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Borrell dhe emisarit Lajçak.  Në takimin e djeshëm ka pasur dakordim për marrëveshjen bazë, e cila tashmë edhe është publike. Ajo që është pranuar, është vetëm ajo që është publikuar nga Bashkimi Evropian”, ka shkruar në reagimin e tij zëdhënësi Përparim Kryeziu ndërsa ka shpërndarë edhe linkun i marrëveshjes bazë të publikuar nga BE.