Interesim jo i madh i serbëve për tu bërë pjesë e Policisë së Kosovës

Rreth 550 pjesëtarë të Policisë së Kosovës nga komuniteti serb kanë dhënë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar në shenjë revolte ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave ilegale në RKS.
Policët e dorëhequr lanë vende vakante në katër stacionet policore në veri. Për të plotësuar ato vende, Drejtoria e Policisë kishte dërguar policë nga të gjitha regjionet e Kosovës të cilët akoma po vazhdojnë të kryejnë detyrat e rendit në veriun e vendit.
Policia ka shpallur konkurs për pranimin e zyrtarëve të rinj nga komuniteti serb, mirëpo numri i të interesuarve ishte i vogël ani pse ishte zgjatur për dhjetë ditë afati për të aplikuar.
Mbi 140 aplikantë kishin plotësuar kriteret për t’iu nënshtruar testit me shkrim me 20 shkurt, ndërsa jo të gjithë e kaluan atë.
Kandidatët të cilët kanë arritur rezultatin 70% e më lartë i janë nënshtruar dje testit të shkathtësive fizike ku gjithsejtë 98 aplikantë e kanë kaluar testin.
Testimi i shkathtësive fizike është mbajtur në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) në Vushtrri ku me 14 dhe 14 mars do të mbahen edhe intervistat me gojë./IndeksOnline/