A mund të jetë Moldavia shënjestra e radhës e Rusisë?
Disa persona u grumbulluan dhe shqyen posterët e presidentes moldave, Maia Sandu, duke i hedhur në tokë e duke shkelur mbi to. Kjo ndodhi më 28 shkurt në kryeqytetin moldav.
Protesta e fundit anti-qeveritare në Kishinjev u organizua nga grupi që e quan veten Lëvizja për Popullin, që mbështetet nga anëtarët e partisë moldave të afërt me Kremlinin, Partisë Shor. Themeluesi dhe lideri i kësaj partie, Ilan Shor, më 2017 u dënua për mashtrim, përkatësisht për vjedhjen e 1 miliard dollarëve nga tri banka moldave më 2014.
Duke valëvitur flamujt e Moldavisë, turma – shumica prej të cilëve raportohet se u sollën në kryeqytet me autobusë – i bëri thirrje Qeverisë së re pro-perëndimore që të paguajë faturat e publikut të energjisë elektrike për sezonin e dimrit dhe që “të mos e përfshijë shtetin në luftë”.
Pasi pak kohë më parë Qeveria paraprake moldave ra për shkak të zemërimit të publikut lidhur me rritjen e çmimeve, presidentja Sandu dhe të tjerët kanë akuzuar Moskën se nga prapaskena po nxit këto protesta dhe po tenton që ta destabilizojë edhe më tej Moldavinë.

