Historia kriminale e Dan Hutrës filloi nga viti 1998, hajdut pulash, delesh, vodhi kalin dhe fqinjët

Tirana dhe gjithë opinioni publik në Shqipëri u trondit javën e kaluar, më 1 Mars, nga disa ngjarje makabre me autor Dan Hutrën. 41 vjeçari nga Kukësi dhe me banim në Tiranë, vrau barbarisht tre gra dhe la të plagosura tre të tjera, ndërsa u prangos teksa planifikonte të katërtën.
Mirëpo, Hutra veçse një vrasës serial i grave, rezulton se ka qenë dhe një hajdut serial pulash, delesh e kafshësh të tjera shtëpiake. Nuk ka kursyer as kushërinjtë e vetë, duke e nisur karrierën kriminale që prej vitit 1998.
Më poshtë, është skeda e plotë kriminale e 41 vjeçarit, e cila fillon me vjedhje, grabitje, vrasjen e gruas së tij të parë me thikë në zemër, e ngjarje të tjera që pasuan ndër vite, derisa më 1 Mars 2023 ai vrau njerëzit e ish-gruas dhe plagosi dhe këtë të fundit.
Skeda kriminale e vrasësit serial Dan Hutra:
Në vitin 1998 është proceduar në Kukës për vjedhjen e dy deleve në fshatin e tij.
Në vitin 1999 shpallet në kërkim policor për vjedhjen e një kali të kushëririt të tij në Durrës.
Në vitin 2003 procedohet për “Heqje e paligjshme e lirisë” dhe “Kryerja e marrëdhënieve seksuale me persona të rritur” mbetur në tentativë
Në vitin 2006, Dan Hutra procedohet në gjendje të lirë për vjedhjen e një furgoni në lagjen ku banonte. Kjo çështje është pezulluar.
Në vitin 2007, procedohet për “Vrasje me paramendim” në dëm të gruas së tij, Dafina Havalja.
Në vitin 2021 Dan Hutra, procedohet për vjedhje të mbetur në tentativë në banesën e komshiut të tij. Qëndron vetëm dy ditë i shoqëruar në polici.
Në vitin 2022, procedohet në Durrës dhe merret i pandehur në gjendje të lirë për vjedhjen e mbetur në tentativë të pulave në kotec.
Në vitin 2022 procedohet për dhunë në familje ndaj bashkëshortes së saj, Elvira Hysa.
Në vitin 2023 procedohet dhe mbyllet në burg për “Vrasje brenda marrëdhënies familjare”, “Vrasjes me paramendim”, “Vrasjes së mbetur në tentativë”, “Vrasjes brenda marrëdhënies familjare” mbetur në tentativë dhe “Mbajtje pa lejë të armëve”.