75 Mall Live Search
23:28 / E Shtunë, 11 Mars 2023 / C E

Lajme të mira për Arsenalin – Jesus, Odegaard dhe Trossard pritet të përfshihen në skuadër për ndeshjen e nesërme

Arsenali ka marrë disa lajme të mira para ndeshjes së nesërme në Premierligë, kundër Fulhamit, të vlefshme për javën e 27-të.

Sipas gazetarit të afërt me klubin londinez, Charles Watts, Gabriel Jesus mund të përfshihet në skuadër për ndeshjen në fjalë.

Sulmuesi brazilian është jashtë fushës që nga dhjetori i vitit të kaluar, kur pësoi lëndim gjatë pjesëmarrjes me Brazilin në Kupën e Botës “Katar 2022”.

Sipas Watts, Leandro Trossard do të përfshihet në skuadër për përballjen ndaj Fulhamit, me sulmuesin belg që duket se ka lënë prapa lëndimin e pësuar javën e kaluar. Ai i mungoi “Topçinjve” të enjten, në ndeshjen ndaj Sporting Lisbonës në Ligën e Evropës.

Watts, duke u bazuar në burimet e tij, gjithashtu raportoi se edhe Martin Odegaard do të jetë në dispozicion të Mikel Artetas për ndeshjen në fjalë. Kapiteni i londinezëve mungoi të enjten shkaku se ishte i sëmurë.

Padyshim se këto rikthime në skuadër shihen si shumë pozitive për Arsenalin, që po vazhdon garën e ngushtë me Manchester Cityn për titullin e kampionit në Angli.

Arsenali momentalisht prin në tabelë me 63 pikë, dy më shumë se Manchester City. “Qytetarët” kanë një ndeshje më shumë tani për tani.

Ndeshja mes Fulhamit dhe Arsenalit do të zhvillohet në stadiumin “Craven Cottage”, nga ora 15:00.