75 Mall Live Search
22:33 / E Martë, 14 Mars 2023 / shkelqim osmanaj

“Haga”, gati urdhër arrestet për zyrtarët rusë

Gjykata Ndërkombëtare Penale pritet të kërkojë arrestimin e zyrtarëve rusë për deportimin me forcë të fëmijëve nga Ukraina dhe bombardimin e infrastrukturës civile, i tha një burim të hënën agjencisë Reuters. Nëse diçka e tillë vërtetohet, do të jetë rasti i parë ndërkombëtar i hetimit të krimeve të luftës që lidhen me pushtimin rus.

Burimi shtoi se urdhrat e arrestit mund të përfshijnë krimin e gjenocidit dhe pritet të lëshohen brenda një periudhe “afat shkurtër” nëse kërkesa e prokurorit miratohet nga një gjyqtar i procedurës paraprake në Gjykatën e Hagës. Është ende e paqartë kundër cilit zyrtar rus prokurori mund të kërkojë urdhërarresti. Zyra e prokurorit nuk pranoi të komentojë. As ministria ruse e Mbrojtjes nuk komentoi.

Është e sigurt se Moska do të refuzojë çdo urdhër arresti kundër ndonjë zyrtari të saj. Por, ndjekja penale ndërkombëtare për krimet e luftës mund të thellojë izolimin diplomatik të Moskës dhe ta bëjë të vështirë për të akuzuarit të udhëtojnë jashtë vendit.

Në front, Ukraina dhe Rusia kanë raportuar se humbje të mëdha në Bakhmut, ndërsa beteja vazhdon.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se forcat ruse kishin pësuar më shumë se 1,100 humbje në ditët e fundit dhe shumë të tjerë të plagosur rëndë. Ndërsa Rusia tha se kishte vrarë më shumë se 220 pjesëtarë të forcave ukrainase gjatë 24 orëve të fundit.

Komandantët ukrainas, të cilët kanë vendosur në dispozicion burime të konsiderueshme për të mbrojtur qytetin, thonë se strategjia e tyre synon të bllokojë forcat ruse dhe të parandalojë Moskën që të nisë ndonjë ofensivë të mëtejshme muajt e ardhshëm.

Situata rreth Bakhmutit mbetet e vështirë, por forcat ukrainase po zmbrapsin të gjitha përpjekjet ruse për të pushtuar qytetin. “Të gjitha përpjekjet e armikut për të kapur qytetin zmbrapsen nga artileria, tanket dhe fuqitë e tjera të zjarrit,” tha komandanti i forcave tokësore të Ukrainës, gjeneral kolonel Oleksandr Syrskyi.

Vizitën e tij të parë jashtë vendit, presidenti kinez Xi Jinping planifikon të zhvillojë në Rusi javën e ardhshme për t’u takuar me homologun rus Vladimir Putin. Vizita vjen pas planit të paqes të ofruar nga Pekini, plan i pritur me skepticizëm në Perëndim.

Ministria e Jashtme e Kinës nuk iu përgjigj menjëherë një kërkesë për koment mbi mundësinë që Xi të shkojë në Moskë dhe Kremlini refuzoi të komentojë. Pas vizitës në Moskë, burimet i thanë gazetës WSJ se presidenti Xi do të zhvillojë një takim virtual me presidentin ukrainas Volodymir Zelensky. /klan tv/