75 Mall Live Search
12:44 / E Enjte, 30 Mars 2023 / MSH

“Pretendimet se gjoja Kushtetuesja do ta “rrëzojë” Presidenten, synim perfid për të krijuar huti”

Shefi i Kabintetit të Presidentës Vjosa Osmani, Blerim Verla, ka hedhur poshtë pretendimet e mundësisë së rrëzimit të saj nga posti i të parës së shtetit.

Ai ka thënë se këto pretendime janë synim perfid për t’i bërë presion Gjykatës dhe për të krijuar huti në publik.

“Pretendimet se gjoja Gjykata Kushtetuese do ta “rrëzojë” Presidenten, është synim perfid për t’i bërë presion Gjykatës dhe për të krijuar huti në publik. GjK është institucion i pavarur, e cila ka detyrim të qartë ligjor për të ruajtur integritetin e vendimmarrjes gjyqësore” ka shkruar Vela në Twitter.

Ai madje thotë se kjo “propagandë” është skemë e përgatitut nga Beogradi.

Kjo është deklarata e plotë e tij:

Pretendimet se gjoja Gjykata Kushtetuese do ta “rrëzojë” Presidenten, është synim perfid për t’i bërë presion Gjykatës dhe për të krijuar huti në publik. GjK është institucion i pavarur, e cila ka detyrim të qartë ligjor për të ruajtur integritetin e vendimmarrjes gjyqësore.

E kemi plotësisht të qartë se dezinformatat dhe propaganda që bëhet gjoja duke u thirrë “në burime brenda Gjykatës”, janë pjesë e luftës speciale të realizuar sipas skemës së përgatitur nga Beogradi dhe të realizuar përmes kriminelëve të veriut dhe sekserëve të tyre, të cilët ndodhen në listën e zezë të ShBA-ve. Çfarëdo skenari eventual për të shkaktuar kriza institucionale në Kosovë dhe për ta nxjerrë nga binarët procesin e dialogut (në veçanti për ta parandaluar zbatimin e nenit 4, të marrëveshjes), është vetëm skenar i vetë Serbisë.

Pra, kjo është përpjekje për ndikim të vendimmarrjes gjyqësore dhe tentim puç ndaj institucioneve legjitime të Republikës së Kosovës, dhe si e tillë do të dështojë.