Sali Berisha thotë se Edi Rama e kopjoi me podcaste

Edi Rama dhe Sali Berisha mund të jenë politikanë të vjetër, por nuk rreshtin kurrë të gjejnë mënyra të reja për të kërkuar votën. Me një mikrofon dhe një fotomontazh, të shtunën Edi Rama lajmëroi një dritare të re komunikimi, që quhet podcast. “Flasim” quhet podcasti i kryeministrit. Një shprehje e tij e preferuar.
Protesta e studentëve në dhjetor 2018 shtyu kryeministrin t’i ftojë ata të flasin. Deri diku me sukses. Pra, edhe ky i riu do të jetë dialog me të ftuar që Edi Rama i zbuloi se cilët do të donte ai që të ishin. I pari që iu përgjigj ftesës ishte mik/armiku i tij i vjetër, Sali Berisha.
“Meqë Rama paska thënë se është gati që të debatojë edhe me kundërshtarin politik, një ftesë që unë ja kam bërë prej kohësh në studiot televizive, ia përsëris tani publikisht, që ta bëjmë debatin të cilit ai i shmanget. Ku të dojë ai, në podcast-in tim apo të tijin”.
Sali Berisha shpesh ka sfiduar biologjinë dhe ka përkrahur teknologjinë. Mbrëmjen e së hënës, edhe ai nxori nga sirtari një podcast të tijin. Me një pemë të vitit të ri nga pas. Me shenjën e dukshme të grushtit që e goditi në dhjetor dhe xhelozinë që thuajse nuk e fshehu dot.
“Mora vesh se edhe Edi Rama do ketë podcast. Si gjithmonë disa hapa pas meje, por ju e dini se unë kam një pasion të veçantë për teknologjinë dhe risitë e saj”
Por podcastet, megjithëse janë forma moderne, në fund fare në përmbajtje kanë karakteret e atyre që i bëjnë. Berisha kërkon t’u flasë të rinjve por në fund fare u flet për Viçidolin. Koha ka ndryshuar edhe për Edi Ramën. Para pesë vjetësh nisur dhe nga nevoja, ai donte të fliste me të gjithë. Por a është kështu tani?
Abc ka mësuar se në fakt të ftuarit e parë në podcastin e tij, do jenë kryetarët e bashkive. Duke filluar nga ajo e Durrësit. Sali berishes, dhe dëshirës së tij për t’u ftuar në podcastin e Ramës, edhe kësaj radhe, do t’i duhet të presë.
Podcastin e parë Berisha e ka bërë për jetën e tij në Viçidol, fshatin e lindjes në Tropojë, shtëpinë dhe familjen ku ka kaluar fëmijërinë. Premton se do të dal çdo javë. Do të shihet nëse do të flas vetëm ai, apo me të ftuar, si Edi Rama./abcnews.al