Borrell për takimin e djeshëm Bislimi-Petkoviq: Marrëveshja për personat e zhdukur, hapi i parë i takimit të Ohrit

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, ka thënë se marrëveshja për tekstin e deklaratës për personat e zhdukur që Besnik Bislimi e Petar Petkoviq arritën dje është hapi i parë i Marrëveshjes së Ohrit.
Borrell tha se kjo marrëveshje do të miratohet në nivel liderësh në takimin e ardhshëm të nivelit të lartë.
“Serbia dhe Kosova u zotuan për Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit dhe aneksin e saj. BE pret që të dyja të respektojnë të gjitha detyrimet prej saj dhe të fillojnë zbatimin sa më shpejt.
Marrëveshja që ata arritën për tekstin e deklaratës për personat e pagjetur në takimin e djeshëm të kryenegociatorëve është hapi i parë. Ne do ta miratojmë atë në nivel liderësh në takimin e ardhshëm të nivelit të lartë që do të mbledh”, është shprehur Borrell përmes rrjetit social Twitter.