75 Mall Live Search
12:48 / E Enjte, 06 Prill 2023 / MSH

Musliu-Shoshi e pyet se a ka siguri për zgjedhjet në veri, Kurti: Kushdo që i cenon zgjedhjet në veri do t’i përgjigjemi me ligj

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi ka pyetur kryeministrin Kurti për zgjedhjet që do të mbahen në komunat veriore, pas dorëheqjes së kryetarëve të këtyre komunave.

“Bazuar në rrethanat aktuale, a mundësohen zgjedhje lira dhe të drejta në veri, të cilat do të mbahen shumë shpejt?” ishte pyetja e saj.

Ajo tha se Kurti nuk duket të ketë kontakt me KQZ-në për këto zgjedhje.

“Zotëri Kurti siç po shihet nuk keni ndonjë kontakt me anëtarët e KQZ-së apo trupat menaxhues, sepse në bazë të raporteve të cilat i kemi pranuar edhe publikisht, thotë se problemet me të cilat ata po ballafaqohen janë shfrytëzimi i qendrave ekzistuesve të votimit, është emërimi dhe trajnimi me kohë i komisionerëve, është bartja e materialeve zgjedhore, janë disa nga problemet kyçe me të cilat po ballafaqohen, e siguria është ndër problemet kryesore të cilën ju si kryeministër, është dashur sot të raportoni. A ka siguri që të mabhen zgjedhje në veri?” pyeti Musliu-Shoshi.

Ajo tha se duhej siguruar zgjedhje të lira dhe demokratike në një pjesë ku duhej të shtrihej sovraniteti i plotë, pasi është vendimmarrës edhe për atë pjesë.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Qeveria është në shërbim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për mbajtjen e zgjedhjeve në komunat veriore – duke i paralajmëruar penguesit potencialë të këtyre zgjedhjeve se do të përballen me forcën e ligjit.

Ai ka thënë se nëpërmjet Ministrisë së Financave janë ndarë mjetet për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.

”Qeveria e Kosovës në procese zgjedhore është në shërbim të Komisionit Qendror Zgjedhor dhe ne kësisoj i përgjigjemi kërkesave të tyre. Kësisoj konform obligimeve kemi ndërmarrë veprimet e duhura në mbështetje të KQZ-së, kemi vënë në funksion mekanizmat institucionalë dhe burimet e nevojshme për përgatitjen për mbajtjen e zgjedhjeve në Veri të vendit”, u shpreh ai.