Rrëfimi prekës i Cavanit: Nuk kam përjetuar kurrë diçka të tillë në jetë

“Futbolli të jep shumë gjëra, por edhe të heq gjëra të tjera”.Edinson Cavani, i intervistuar në kanalet zyrtare të La Ligës, ka rrëfyer të gjitha vështirësitë, personale dhe profesionale, të përjetuara kohët e fundit.
“Matadori”, forca lëvizëse dhe lideri karizmatik i Valencias, ka dashur të mohojë edhe thashethemet për një dalje të mundshme nga futbolli.
“Nëse një ditë ndjej se gjërat nuk po shkojnë mirë, me gjithë dashurinë dhe respektin në botë, do ta lë klubin dhe njerëzit dhe do të largohem nga futbolli… por sot ajo që shpresoj më shumë është që Valencia të bëjë mirë”.

Ish-sulmuesi i PSG-së dhe Napolit ka rrëfyer mbi të gjitha momentin që po përjeton me Valencia-n, i angazhuar në luftën për të mos rënë në Liga .
Një situatë e paprecedentë, e pa përjetuar më parë në karrierën e tij, të cilën Cavani e përshkruan si më poshtë.
“Nuk më është dashur kurrë të përjetoj një situatë të tillë. Ndonjëherë gjërat duhen përballur dhe nuk ka rrugë tjetër. Ne kemi provuar mijëra mënyra për ta kthyer situatën, e dimë se ku jemi dhe duam që ky klub të arrijë sa më lart që të jetë e mundur, e meriton dhe është një klub i madh”.
Valencia aktualisht zë vendin e tretë nga fundi në La Liga dhe, të dielën e Pashkëve, ata do të fluturojnë për në Almeria.