75 Mall Live Search
11:05 / E Martë, 11 Prill 2023 / S Z

Bërja publike e dokumenteve të klasifikuara, Pentagoni: Kërcënim serioz për sigurinë kombëtare të SHBA-së

Pentagoni është shprehur se rrjedhja e disa dokumenteve të klasifikuara të Departamentit amerikan të Mbrojtjes paraqet rrezik shumë serioz për sigurinë kombëtare.

Duket se dokumentet përfshijnë informacion të ndjeshëm në lidhje me luftën në Ukrainë si dhe lidhjet me Kinën dhe aleatët e SHBA-së. Hetimet kanë nisur për të përcaktuar burimin e rrjedhjes së tyre.

Dokumentet u shfaqën fillimisht në platformat online, si Twitter, 4chan dhe Telegram, si dhe në një server Discord për video-lojën Minecraft.

Përveç informacioneve shumë të detajuara në lidhje me luftën në Ukrainë, disa nga dokumentet e zbuluara thuhet se hedhin dritë edhe mbi informacione të ndjeshme për aleatët e SHBA-së.

Një burim i afërt me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky kishte thënë për median “CNN” se vendi i tij ka ndryshuar tashmë disa nga planet e saj ushtarake për shkak të rrjedhjes së dokumenteve. Dokumentet e tjera thuhet se fokusohen në çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë në Lindjen e Mesme, si dhe në rajonin e Indo-Paqësorit.

Chris Meagher, ndihmës i sekretarit amerikan të Mbrojtjes për çështjet publike, tha se rrjedhja e dokumenteve paraqet “rrezik shumë serioz për sigurinë kombëtare dhe ka potencial për të përhapur dezinformata”.

“Ne jemi duke hetuar sesi ka ndodhur kjo”, tha ai. Rasti po hetohet nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, së bashku me zyrtarë nga Pentagoni, Shtëpia e Bardhë dhe të tjerë në Qeverinë amerikane.