75 Mall Live Search
17:07 / E Premte, 14 Prill 2023 / MSH

Kosova dhe Holanda me marrëveshje bashkëpunimi për onkologjinë e fëmijëve

Me qëllim të zgjerimit të bashkëpunimit për Programin e Binjakëzimit në lidhje me onkologjinë pediatrike, Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik Univeristar i Kosovës nënshkruan Memorandumin e bashkëpunimit me Qendrën “Prinses Máxima” dhe “World Child Cancer-NL” të Utrecht, Holandë.

Marrëveshja u nënshkrua nga Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, U.D. drejtoresha e SHSKUK-së, Narqize Arënliu Hoxhaj, Ferry van Schoonhoven, Kryetar i “Princess Máxima” për onkologji pediatrike dhe Gita Gallé, COO dhe CFO.

Kjo marrëveshje ka për synim partneritetin ndërmjet palëve, optimizimin e kujdesit mjekësor për fëmijët me sëmundje malinje që trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në mënyrë që të rritet shkalla e mbijetesës për këta pacientë dhe të përmirësohet kujdesi për ta.

Memorandumi do të ndikojë drejtpërdrejt në trajnimin, edukimin dhe këshillimin e mjekëve, infermierëve, teknikëve, hulumtuesve dhe profesionistëve të tjerë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës në fushën e shërbimeve onkologjike për fëmijë.