75 Mall Live Search
15:00 / E Martë, 25 Prill 2023 / k.v

Një vit burgim me kusht ndaj të akuzuarit se falsifikoi rezultatet e votimit për 51 vota

Gjykata Themelore në Gjakovë, të martën, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Vllaznim Kozniku, duke e dënuar me një vit burgim me kusht për akuzën se falsifikoi rezultatet e votimit.

Shpallja e aktgjykimit ndaj të akuzuarit Kozniku, është bërë nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Drilon Haraçia, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Kozniku për veprën penale të “Falsifikimit të rezultateve të votimit”, është dënuar me burgim me kusht në kohëzgjatje prej 1 viti, dënim i cili nuk do të ekzekutohet nga ana e gjykatës, nëse i njëjti brenda afatit të verifikimit prej 2 viteve nuk kryen vepër tjetër penale.

Gjithashtu, ndaj të njëjtit janë shqiptuar edhe dënimet plotësuese “Heqja e të drejtës për t’u zgjedhur”, si dhe “Ndalimi i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës”, e kjo në kohëzgjatje prej 4 viteve, nga data e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Paraprakisht, i akuzuari Kozniku e kishte pranuar fajësinë për veprën penale që i vihej në barrë.

Ndryshe, sipas aktakuzës, i akuzuari Vllaznim Kozniku akuzohej se më 11 qershor 2017, në Gjakovë, pas mbylljes së vendvotimeve, duke e keqpërdorur pozitën apo autorizimin e tij lidhur me zgjedhjet, i ka regjistruar në mënyrë të pasaktë rezultatet e zgjedhjeve në dokumentet zgjedhore.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Kozniku ka hequr votat e disa kandidatëve dhe ka shënuar disa kandidatë tjerë, duke regjistruar 51 vota, prej tyre 49 vota të shtuara dhe 2 vota të hequra, ku me 51 vota i ka dëmtuar kandidatët e ndryshëm brenda subjekteve politike për zgjedhjet e përgjithshme.

Me këtë, ngarkohej se ka kryer veprën penale “Falsifikim i rezultateve të votimit” nga neni 219, par.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.