75 Mall Live Search
09:08 / E Premte, 28 Prill 2023 / L K

Skuadra shqiptare i “hakmerret” futbollistit kosovar

Engjëll Hoti është një nga çështjet më të rëndësishme për t’u zgjidhur te Partizani. Mesfushori ka firmosur kontratë për vetëm një vit dhe në fillim të qershorit ai del lojtar i lirë.

Largimi i tij do të ishte një humbje e konsiderueshme për Partizanin, që do të duhej të hynte në treg dhe të synonte sërish një lëvizje po kaq cilësore sa me kosovarin, të cilin ia mori Tiranës në verën e shkuar. Drejtuesit e kërkojnë me domosdo rinovimin me 26- vjeçarin, i cili konsiderohet si një nga shtyllat e ekipit. Por pas një sezoni shumë të mirë, Hoti ndien se ka ardhur koha për të bërë një transferim në një ligë më të fortë jashtë vendit, teksa ofertat në drejtim të tij nuk mungojnë. I ndodhur në këtë situatë, ai i ka lënë drejtuesve që të kuptojnë se për momentin nuk ka ndërmend të rinovojë. Këta të fundit kanë bërë lëvizjen e radhës.

“SHAH” – Pas refuzimit për rinovimin, klubi ka vendosur të përgjigjet me uljen në stol të Hotit. Prej më shumë se një muaji, dardani, nga një titullar fiks dhe lojtar vendimtar, është ulur në pankinë dhe aktivizimi ka qenë i ulët. Pavarësisht se “dardani” ka arritur të jetë shumë produktiv edhe nga stoli, sërish Kolela ka vendosur ta mbajë si “As nën mëngë” dhe të startojë me lojtarë të tjerë. Kjo pa dyshim nuk e ka lënë të kënaqur Hotin. Gjithçka kulmoi në një zënkë me Carën në lidhje me goditjen e një penalltie, e cila më pas u anulua. Dy lojtarët patën një “gërricje” në fushë në lidhje me gjuajtësin e 11-metërshit, teksa në fund u vendos për Carën. Të gjitha këto kanë krijuar një ftohtësi mes palëve, me Hotin, që ndien njëfarë hatërmbetje.

MUNGESA “E MISTERSHME” – Në stërvitjen e së martës dhe të mërkurës Hoti nuk ka qenë i pranishëm, teksa është kthyer vetëm ditën e djeshme. Brenda për brenda është bërë me dije se Hoti ka pasur probleme shëndetësore, por gjasat më të mëdha janë që kjo të jetë thjesht një tentativë për të “mbuluar” tensionin. Hoti ka pakënaqësi ndaj klubit dhe duket se ka vendosur të “protestojë” në këtë mënyrë, duke mos shkuar në stërvitje për dy ditë. Nga ana tjetër, rikthimi i djeshëm është një tregues se palët kanë gjetur një rrugë të mesme për të vijuar normalisht bashkëpunimin, të paktën deri në fund të sezonit. Gjithsesi, situata e rinovimit vijon e njëjtë. 26- vjeçari do të firmoste sërish me të kuqtë vetëm në rast se nuk do ta bindin ofertat nga liga më të pasura jashtë vendit.