Publikohet foto e re e vrasësit të Ardian Nikulaj, zbulohet dhe informatorja britanike

Personi në foto është Ruben Saraiva, shtetasi portugez që akuzohet nga autoritetet shqiptare se është ekzekutori i biznesmenit dhe politikanit lezhjan Ardian Nikulaj. Kjo është një foto e plotë e fytyrës së tij, me flokë të gjata dhe me rrasta.
Menjëherë pas vrasjes, më 19 Prill, ai është larguar nga Shqipëria. Bashkë me të, janë larguar dhe pesë shtetasit e tjerë, i akuzuari si porositës Edmond Haxhia dhe katër shtetasit britanikë që luanin rolin e informatorëve.
Në media ka dalë dhe një foto e të vetmes vajzë që shoqëronte grupin e britanikëve, shtetësja Harriet Bridgeman. Ajo ka qëndruar në hotelin në pronësi të biznesmenit të vrarë, bashkë me tre miqtë britanikë, dhe dyshohet se ka pasur rol në mbledhjen e informacioneve.

Pasi kanë vëzhguar për ditë me radhë lëvizjet e Ardian Nikulajt dhe stafit të resortit në pronësi të tij, britanikët kanë raportuar te shtetasi portugez Ruben Saraiva. Kjo shpjegon faktin se përse ai e njihte aq mirë zonën dhe ambientet e hotelit.
Të gjashtë këtë shtetas, ekzekutori portugez, katër britanikët dhe porositësi shqiptar, janë shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit. Motiv për vrasjen e biznesmenit 50 vjeçar, sipas drejtorit të Përgjithshëm Muhamet Rrumbullaku është bërë gjakmarrja.