Kishte goditur me veturë një person, arrestohet i dyshuari, viktima ishte në kërkim policor

Javën e kaluar një person kishte pësuar lëndime trupore, pasi i njëjti ishte goditur nga një veturë, e cila kishte përfunduar pastaj në një lokal.
Indeksonline kishte raportuar për rastin, duke bërë të ditur se viktima po trajtohej në spital.
Ndërkohë, Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka dhënë detaje për rastin, duke bërë të ditur se viktima e këtij aksidenti ishte në kërkim policor dhe së i njëjti, pas tretmanit mjekësor, është dërguar në vuajtje të dënimit me burg për një vit.
Në anën tjetër, i dyshuari për shkaktimin e aksidentit është identifikuar dhe dje është arrestuar.
I njëjti është ndaluar për 48 orë, për procedura hetimore.
Rasti është inicuar si “Vrasje e mbetur në tentativë”.
Ky është njoftimi i plotë i Policisë së Ferizajt (pa ndërhyrje):
Më datën 29.04.2023 rreth orës 14:30 Policia Rajonale e Ferizajt kishte pranuar një informacion se në rrugën ‘’12 Qershori’’ në Ferizaj ishte një rast ‘’Vrasje e mbetur në tentativë’’ ku i dyshuari F.I ( M/K) i moshës 54 vjeçar me veturën e tij BMW me targa vendore e godet viktimën V.I (M/K) të moshës 49 vjeçar i cili po lëvizte në trotuar, duke i shkaktuar lëndime trupore . Për dihmë mjekësore fillimisht dërgohet në Qendrën Emergjente në Ferizaj, e më pas për tretman të mëtutjeshëm mjekësor dërgohet në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë, ndërsa gjatë verifikimit të tij rezulton se ishte në kërkim policor me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Ferizaj me burgim prej 1 viti dhe pas tretmanit mjekësorë dërgohet në vuajtje të dënimit, ndërsa i dyshuari F.I largohet në drejtim të panjohur.
Në rast, veç ekipeve të policisë së rendit janë kyçur Njësia e Hetimeve e stacionit të policisë në Ferizaj dhe Sektori Rajonal i Hetimeve, të cilët nën autorizim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj i kishin marrë të gjitha veprimet e nevojshme për hetim dhe në kërkim të të dyshuarit F.I
Hetuesit rajonal pas një punëve intenzive, grumbullimit të informacioneve në terren, shikimit të kamerave të sigurisë me datën 03.05.2023 në ora 14:30 në Ferizaj kanë arrestuar të dyshuarin F.I, me dyshimin se ka kryer veprën penale ‘’Vrasje të mbetur në tentativë’’, të cilin më pas e kanë shoqëruar në Sektorin Rajonal të Hetimeve në Ferizaj dhe pas intervistimit të tij nga policët hetues, në prani edhe të avokatit mbrojtës, me vendim të prokurorit të rastit është ndaluar në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejme hetimore.