Shabiu: Situata e të drejtave të njeriut në Kosovë gjatë vitit 2022 nuk ka shënuar ndonjë progres të theksuar

Marigona Shabiu, drejtoreshë ekzekutive e YIHR-Kosovë (Nisma e të Rinjve për të Drejta të Njeriut), në konferencën e publikimit të raportit me titull “Raporti i shoqërisë civile për të drejtat e njeriut në Kosovë në vitin 2022”, ka thënë se situata e të drejtave të njeriut në Kosovë gjatë vitit 2022 nuk ka shënuar ndonjë progres të theksuar, sidomos për grupet e margjinalizuara.
“Sidomos për grupet e margjinalizuara, siç janë gratë, fëmijët, të rinjtë, komunitetet joshumicë, personat me aftësi të kufizuara dhe personat LGBTI në Kosovë”, ka thënë tutje Shabiu, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Përveç kësaj, ajo tha se raporti ofron rekomandime konkrete për institucionet e Kosovës që kanë për qëllim përmirësimin e situatës së të drejtave të njeriut dhe sipas saj, këto rekomandime i adresohen Qeverisë, Parlamentit, institucioneve të drejtësisë si dhe institucioneve tjera relevante.
Këto deklarime, Shabiu i ka bërë të mërkurën në konferencën e organizuar nga Rrjeti për të Drejtat e Njeriut (HRN), ku prezantohet “Raporti i Shoqërisë Civile për të Drejtat e Njeriut për vitin 2022”.
Raporti në fjalë është një pasqyrim i situatës së të drejtave të njeriut në Kosovë përgjatë vitit 2022, nga këndvështrimi i organizatave të shoqërisë civile. Ky raport është përpiluar me kontributin e 37 organizatave përmes inputeve direkte dhe përmban mbi 150 rekomandime drejtuar institucioneve shtetërore.