Serbia e vazhdon lobimin, e falënderon Spanjën për mosnjohjen e Kosovës
Serbia ka vazhduar ta shkelë Marrëveshjen e Brukselit dhe të Ohrit për normalizimin e marrdhëniëve me Kosovën. Gjatë ditës së sotme, ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq në takim me ambsadorin spanjoll në Beograd, Raul Bartolome Molina, e ka falenderuar Spanjën për qëndrimin e saj parimor në çështjen e mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës, si dhe për votimin e fundit në lidhje me kërkesën e Prishtinës zyrtare për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Gjatë takimit, ambasadori Molina, ka thënë se “qëndrimi i Mbretërisë së Spanjës për mosnjohjen e e pavarësisë së Kosovës mbetet i pandryshuar. Spanja vazhdon të mbështesë fuqimisht kërkesën e Serbisë për ruajtjen e sovranitetit të saj”, njofton Ministria e Mbrojtjes së Serbisë.
Çfarë thotë Marrëveshja E Brukselit dhe Ohrit në lidhje me këtë?
Neni 4 i Marrëveshjes Bazë
Palët vazhdojnë me supozimin se asnjëra nga të dyja nuk mund të përfaqësojë tjetrën në sferën ndërkombëtare ose të veprojë në emër të saj.
Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.
Votimi kundër në KiE
Edhe javë me parë, liderët serbë kishin shkelur Marrëveshjen Bazë, duke votuar kundër vendimit për ta dërguar kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës tek Asambleja Parlamentare. Në lidhje me votimin e Serbisë në KiE, kishte reaguar edhe Bashkimi Evropian.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ksihte thënë se institucionet e Brukselit janë në dijeni se Serbia votoi kundër aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
BE-ja është në dijeni që Serbia ka votuar kundër kërkesës së Kosovës për pranim në Këshillin e Evropës”, tha Stano.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte kërcënuar shtetet që kanë votuar pro Kosovës në KiE, duke pretenduar se këto vende nuk e kanë respektuar integritetin territorial të Serbisë.
“Kemi vendosur t’i respektojmë më shumë vendet mike ndaj Serbisë. Të kujdesemi për politikën dypalëshe dhe të mos kalojmë kufijtë e reciprocitetit. Nëse dikush nuk e respekton integritetin tonë territorial, pse ta respektojmë ne të tijin”, ka thënë Vuçiq, raporton Radio Evropa e Lirë.
Tutje, në të njëjtën linjë të mendimit, ai kishte thënë se Serbia është mirënjohëse ndaj vendeve që kanë votuar kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke veçuar Hungarinë.
Ne i jemi mirënjohës sidomos Hungarisë. Ata [hungarezët] kanë dëshmuar se janë miqtë më të mëdhenj të Serbisë”, u shpreh Vuçiq.
“Faleminderit Spanjës, Qipros, Rumanisë, Azerbajxhanit, Gjeorgjisë, që kanë votuar për të mbështetur Kartën e Kombeve të Bashkuara”, kishte thënë Vuçiq.
Presidenti serb ishte shprehur i pakënaqur edhe me shtetin e Ukrainës, po për këtë shtet nuk dihet nëse do të vlejë reciprociteti që paralajmëroi me herët Vuçiqi, për shtetet që kanë votuar në favor të shtetit kosovar.
“Ka pasur zhgënjim. Serbia kurrë nuk ka qenë e përmbajtur ndaj integritetit territorial të Ukrainës”, ka thënë Vuçiq.
E kërcënues ndaj shteteve që kanë votuar pro Kosovës në KiE, ka qenë edhe Ivica Daçiq, ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë.
Daçiq, ka kërcënuar Malin e Zi, pasi shteti malazez votoi pro aplikimit të Kosovës për pranim në Këshillin e Evropës.
“Mali i Zi ka mundur të paktën të përmbahej. Duhet të veprojmë me reciprocitet. Mali i Zi ka votuar për pranimin e Kosovës. Edhe atyre do t’u duhet ndonjëherë vota jonë, në të cilën sigurisht që s’mund të llogarisin”, ka thënë Daçiqi, raporton “N1”.
E shefi i diplomacisë serbe, ka qenë më i ashpër më kërcënimin ndaj shtetit të Bosnjës dhe Hercegovinës, duke e përmendur çështjën e “integritetit territorial”.
“Sa i përket Bosnjës dhe Hercegovinës, a ka pasur ndonjëherë në fjalimin tim rast që të mos përmendim integritetin territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës? Tash kur dikush të na pyes, ne do të përmbahemi. Pra, pse ne do të ishim për integritetin territorial të Bosnjës dhe ata të abstenojnë”, ka deklaruar më tej Daçiq.

