75 Mall Live Search
10:16 / E Enjte, 18 Maj 2023 / MSH

Përmbytje në disa rajone të Italisë, nëntë persona humbin jetën dhe dhjetëra të tjerë zhdukën

Nëntë persona kanë vdekur dhe dhjetëra janë zhdukur pas shirave të dendur që shkaktuan përmbytje në rajonin verior të Italisë, Emilia-Romagna, thonë zyrtarët.

Banorët e këtij qyteti janë strehuar në palestra dhe shkolla.

Rreth 10,000 njerëz janë evakuuar dhe disa u desh të shpëtoheshin nga çatitë me helikopter, shkruan BBC, transmeton Indeksonline.

Autoritetet thonë se 14 lumenj kanë dalur nga shtratet e tyre, duke përmbytur 23 qytete.

Gjatë ditëve në vijim priten reshje të tjera shiu në rajon.

“Ka qenë ndoshta nata më e keqe në historinë e Romagna-s”, tha kryebashkiaku i Ravenës, Michele de Pascale për RAI.

Kryetari i bashkisë së Forlit, Gian Luca Zattini, tha se qyteti i tij ishte “në gjunjë, i shkatërruar dhe me dhimbje”, raporton AFP.

Në Castel Bolognese, kryebashkiaku tha se situata ishte “katastrofike”.

Aktualisht nuk ka energji elektrike në këtë qytet.

Duke konfirmuar se nëntë persona kishin vdekur në përmbytjet të mërkurën, presidenti rajonal Stefano Bonaccini tha se kishte qindra rrëshqitje dheu, të cilat çuan në ndërprerjen e rrugëve në rajon.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ftoi në takim të jashtëzakonshëm zyrtarët e mbrojtjes civile dhe më vonë falënderoi shpëtimtarët që kishin rrezikuar jetën e tyre për të ndihmuar viktimat.

Ekipet e vullnetarëve kanë mbërritur për të ndihmuar shërbimet lokale të urgjencës në terren në rajonet e prekura.