75 Mall Live Search
23:33 / E Premte, 26 Maj 2023 / MSH

Gjithçka që ndodhi sot në veri (PAMJE EKSKLUZIVE)

Në veri të vendit, sot u protestua në mënyrë jo paqësore nga komuniteti serb, për të parandaluar hyrjen në ndërtesa komunale të kryetarëve të zgjedhur të Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit.

Izmir Zeqiri (Zubin Potok), Lulzim Hetemi (Leposaviq) dhe Ilir Peci (Zveçan) u betuan dje si kryetarë të zgjedhur në zgjedhjet lokale të 23 prillit, duke premtuar se do të qeverisin në mënyrë të ndershme dhe në përkim me interesat e qytetarëve, pa dallim etnie.

Por, betimi i secilit prej tyre nuk është bërë në objektet komunale të komunave përkatëse, pasi këto të njëjtat nuk janë liruar nga strukturat paralele serbe.

Indeksonline ka qëndruar sot në veri të vendit për të përcjellur futjen nëpër komuna të kryetarëve të rinj, të cilët kanë hasur në rezistencë të jashtëzakonshme nga ana e serbëve.

I gjithë operacioni ka qenë i koordinuar me organet shtetërore dhe Policinë e Kosovës, e cila çdo çast e më shumë shtohej në numër.

Nga këta të fundit, pesë zyrtarë policorë janë lënduar,dhe janë dëmtuar katër automjete zyrtare, ku njërës prej tyre i ishte vënë zjarri duke u dëmtuar në terësi.

Njësia Speciale i është bashkangjitur Policisë së Kosovës, bashkë me patrullat e KFOR-it dhe EULEX-it.

Tri vetura të EULEX-it janë sulmuar gjithashtu.

Përgjatë ditë, janë dëgjuar shpeshherë alarmet në këto qytete.

Teksa policët kanë arritur të depërtojnë në ndërtesat komunale, pas tyre kanë hyrë kryetarët, të cilët më pas janë vizituar nga Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Ndërkohë, Policia është përballur edhe me vendosje të kamionëve – barrikada, të cilët i ka larguar pa ekses.

Kjo situatë në veri ka ngjallur reagime të shumta nga ndërkombëtarët, të cilët edhe njëherë i kanë bërë thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që të koordinohen me ta dhe të mos përshkallëzojnë situatën.

“Ne dënojmë vendimin e Kosovës për të detyruar hyrjen në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, pavarësisht thirrjes tonë për përmbajtje. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve të Kosovës që menjëherë të tërhiqen dhe të de-përshkallëzohen dhe të koordinohen ngushtë me EULEX-in dhe KFOR-in” thuhet në reagimin zyrtar të shteteve të QUINT-it.

Në anën tjetër, sipas presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, veprimet e sotme të Policisë kanë qenë legjitime.

“Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm, ndaj mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligj. (Neni 2 i Kushtetutës). Veprimet e Policisë së Kosovës ndaj strukturave ilegale e bandave kriminale të Vuçiqit janë legjitime, në realizim të detyrave të tyre kushtetuese dhe në mbrojtje të të gjithë qytetarëve, pa dallim” ka thënë Osmani.

Policia ndërkohë bën të ditur se situata aktuale është e qetë dhe e monitoruar plotësisht nga ta.

Më poshtë ju sjellim pamje ekskluzive nga Indeksonline, përgjatë ditës së sotme.

Njësia Speciale në veri
Momenti kur digjet vetura e Policisë së Kosovës nga protestuesit serbë
Pamje nga vetura e djegur e Policisë së Kosovës
Polici i Njësisë Speciale duke vëzhguar situatën
Policët e Njësisë Speciale duke vëzhguar situatën
Pamje nga veturae Policisë së Kosovës, pasi u sulmua me gurë nga serbët
Ministri Elbert Krasniqi, i shoqëruar nga policët, teksa viziton kryetarët e sapozgjedhur të komunave veriore
Policia e Kosovës përballë protestuesve serbë
Pamje nga barrikada – kamion, e vendosur në mes të rrugës
Kryetari Ilir Peci lë objektin e Komunës së Zveçanit
Flamuri i Republikës së Kosovës vendoset në objektin e Komunës së Leposaviqit
Njësia Speciale e Policisë së Kosovës vazhdon të monitorojë situatën pranë objektit të Komunës së Zveçanit