75 Mall Live Search
10:16 / E Martë, 30 Maj 2023 / A. M.

Kërcënon Beogradi zyrtar: Ndalu Albin Kurti, në të kundërtën i tërë rajoni mund të marrë flakë!

“Albin Kurti është përgjegjës për gjithçka që ndodhi dje në Zveçan”, tha drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovë, Petar Petkoviq, duke përsëritur se edhe sot porosia më e rëndësishme për përfaqësuesit e Quintit do të jetë që “të arsyetojnë Kurtin”, sepse, siç theksoi ai, “në të kundërtën gjithçka mund të shkojë në një drejtim të pakthyeshëm dhe t’i vërë flakën gjithë rajonit”.

“Zjarrvënës i Ballkanit, Albin Kurti, ka dashur dje t’i vërë zjarrin të gjithë rajonit dhe rezultati i atij konflikti është se 52 civilë u plagosën nga pala serbe, tre prej tyre rëndë”, tha Petkoviq.

“I urojmë shërim të shpejtë të gjithëve, shpresojmë që të mos ketë viktima dhe nuk e kemi problem ta themi këtë. Serbët nuk kanë dashur kurrë një konflikt me Kfor-in, ai që ka dashur konfliktin ka qenë Albin Kurti dhe kur i shikon të gjitha veprimet e tij, ai dëshiron konflikte, ai dëshiron të provokojë luftë, sepse kjo është mënyra e vetme për të shmangur përmbushjen e detyrimeve të tij, në radhë të parë formimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Udhëheqja e Serbisë dhe Përfaqësuesit e Listës Serbe morën garanci serioze nga perëndimi, mbi të gjitha nga KFOR-i, se nuk do t’i lejojnë pushtuesit Gauleiter të hyjnë në ndërtesat serbe”, tha Petkoviq.

Mirëpo, siç shton ai, dje është parë se kanë vendosur tela me gjemba, kordonë, në mënyrë që siç shprehet ai, “me sa duket të ndihmojnë kryetarët shqiptarë që të mund të hyjnë në ndërtesat serbe”.

“Ata është dashur të jenë prezent të premten dhe është dashur të parandalojnë hyrjen e atyre që kanë çuar në trazira dhe konflikte. Kandidatët e PDK-së – partisë së Hashim Thaçit, kryetarët e Zubin Potokut dhe Zveçanit kanë marrë vendim që të mos hyjnë në ndërtesat në ato dy komuna, por ky nuk është rasti me kryetarët e Kurtit në Leposaviq dhe Mitrovicë Veriore, për më tepër”, theksoi Petkoviq.

Ai thekson se “këta nuk janë kryetarë legjitimë dhe se Kurti është drejtpërdrejt përgjegjës për gjithçka që ka ndodhur dje.

Duke theksuar se “çdo protestë e serbëve deri më tani ka qenë paqësore, Petkoviq thotë se kur ishin ulur, Kfor-i lëvizi me forcë, për të mundësuar kalimin e dy veturave të njsive speciale të Policisë së Kosovës”.

“E gjithë kjo nuk do të kishte ndodhur nëse KFOR-i nuk do të kishte reaguar dhe nuk do të kishte hedhur gaz lotsjellës. Pastaj populli fillimisht filloi t’i kundërshtojë, por të mos harrojmë se mandati i KFOR-it është të mbrojë popullin serb, dhe ata ishin aty për të mbrojtur pushtuesit Gauleiter”, tha Petkoviq dhe shtoi se Kfor ka ndihmuar njësitë e njësisë speciale.

“Kemi kërkuar nga KFOR-i që të veprojë, por nëse nuk reagon, ka dikush që do ta mbrojë popullin tonë”, tha Petkoviq dhe shtoi se ushtria serbe është në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake dhe se mbrëmë janë dislokuar në lokacione shtesë.