75 Mall Live Search
14:10 / E Martë, 30 Maj 2023 / k.v

Dëshmitari në rastin e Pjetër Shalës: ‘‘E maj men dajakun se ushqimin e kishin harru krejt’’

Në seancën e së martës në rastin ndaj Pjetër Shalës, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), dëshmitari i shtatë (me kodin 1) ka thënë se ‘‘veç e maj men dajakun se ushqimin e kishin harru krejt’’, kur është pyetur se çfarë ushqimi iu kishin dhënë në shtabin e Kukësit.

Këtë deklarim dëshmitari e dha duke ju përgjigjur pyetjeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS-së), ku paraprakisht tha se kishte ngrënë ushqim aty vetëm një herë në javë ose një herë në dy javë, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

Kurse në lidhje me ujin e pijshëm ai tha se i linin 3-4 shishe në dhomë por që ato nuk i dilnin askujt pasi që kishin qenë 8 deri në 12 persona në atë dhomë.

‘‘Varet kur dojshin me na dhanë, u varke prej tyre’’, tha ai kur u pyet se a mund të kërkonin që të i mbushnin shishet me ujë.

Fillimisht dëshmitari tha se në dhomën kur ai ishte mbajtur dyshemeja kishte qenë e betonuar dhe se nuk kishte pasur mobile.

Ai tha se 2-3 ditët e para kishin pasur batanije dhe më pas ato iu ishin marr nga ushtarët me arsyetimin sipas tij se ‘pse të kishin diçka të butë spiunat’.

Tutje, i njëjti tha se dy dritaret e asaj dhome kishin pasur xham por që kishin qenë me hekura.

Ndërkaq, seanca kaloi në sesion privat kur prokurori Filippo De Minicis pyeti dëshmitarin nëse i kujtohet identiteti i ndonjërit prej personave që ishte mbajtur në dhomë me të.