75 Mall Live Search
19:23 / E Mërkurë, 14 Qershor 2023 / S Z

Gërvalla për rrëmbimin e policëve: Vuçiqi po e përsërit praktikën e mjeshtrit të tij Millosheviqit

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gervalla, deklaroi se rrëmbimi i tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga regjimi i Vuçiqit thellë brenda territorit të Kosovës, është përsëritja e praktikës kriminale të mjeshtrit të Vuçiqit, Millosheviqit, i cili urdhëroi kidnapimin e zyrtarëve të OKB-së dhe të tjerëve të huaj gjatë luftës në Bosnje, për të shantazhuar Perëndimin.

Me anë të një postimi në llogarinë e saj në Twitter, ministrja shton se ky përshkallëzim shërben si një thirrje zgjimi për të gjithë ata që njohin përshkallëzimin e luftërave ballkanike të viteve 1990.

“Kjo është e paimagjinueshme pa pranimin e vazhdueshëm të dhunës së Vuçiqit nga aktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë. Ky akt i agresionit ndërkombëtar është një provë e qartë e Perëndimit”.

“Vuçiqi padyshim do të përshkallëzohet më tej në të gjithë rajonin nëse nuk ka një ndalesë të qartë nga NATO”, shkroi Gërvalla.

Ministrja e Punëve të Jashtme tutje shprehet se i bën thirrje Vuçiqit që t’i lirojë menjëherë policët tanë, ndërsa nga Perëndimi kërkon që të ngrihet në mbrojtje të aleatëve perëndimorë dhe të ndalojë përshkallëzimin e Vuçiqit.