ShBA dënon sulmin ndaj gazetarëve në veri

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka dënuar sulmin e sotëm ndaj gazetarëve në Leposaviq.
ShBA ka bërë thirrje që medieve t’u lejohet të punojnë pa dhunë dhe pa i frikësuar.
“Ne dënojmë sulmet e vazhdueshme ndaj gazetarëve në veri të Kosovës, duke përfshirë edhe sot. Ne përsërisim thirrjen tonë që mediat të jenë në gjendje të punojnë pa dhunë dhe frikësim” thuhet në reagim.
Kujtojmë se sot në veri të vendit u sulmuan disa ekipe mediatike, ku disa gazetarë pësuan lëndime trupore.
Ekipi i Indeksonline që po përcillte nga afër situatën u sulmua me shok-bombë nga huliganët serbë.
Të njëjtit i thyen dorën një gazetari të Arbresh.info, e rrahën një kameraman të RTK-së të cilit i morën edhe kamerën, si dhe goditën me gurë në kokë ekipin e RTV Dukagjinit./Indeksonline/