Krasniqi–Kurtit: Tejkaloj inatet personale, bashkëpuno me partnerët ndërkombëtarë për lirimin e policëve të kidnapuar

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të luaj një rol më aktiv për policët kosovar që u kidnapuan në veri.
Ai po ashtu, ka kërkuar nga Kurti që ti lë anash inatet dhe të bashkëpunojë me aleatët ndërkombëtar që sa më shpejtë të lirohen policët.
Pasi që nuk dihet asgjë për gjendjen e tyre shëndetësore, apo trajtimin që po u bëhet.
Postimi i plotë:
Sot janë bërë pesë ditë nga kidnapimi i tre zyrtarëve tanë policor, brenda territorit të Kosovës, nga forcat serbe. Për pesë ditë, nuk kemi asnjë informacion për gjendjen e tyre shëndetësore, trajtimin e tyre nga autoritetet serbe dhe, fatkeqësisht, akoma asnjë vizitë tek ta.
Derisa Serbia dhe Vuçiqi po refuzojnë të lirojnë policët tanë dhe kundërligjshëm po i mbajnë në paraburgim, në anën tjetër, Kryeministri dhe Qeveria po na mbajnë në errësirë në lidhje me situatën e tyre.
Kërkoj nga Qeveria që të luaj një rol shumë më aktiv dhe të përgjegjshëm për rikthimin sa më parë në shtëpi të Rifat Zekës, Beqir Sefës e Shemsi Mustafës.
Mbi të gjitha, kërkoj nga Kryeministri që të tejkaloj inatet e tij personale dhe të shtoj bashkëpunimin e koordinimin me partnerët tanë ndërkombëtarë – si mënyra më e shpejtë dhe efikase për lirimin e tyre.