75 Mall Live Search
14:52 / E Martë, 20 Qershor 2023 / S Z

Osmani telefonon Gërvallën e Daçiqin: Kërkova lirimin e policëve dhe depërshkallëzimin e situatës

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani ka njoftuar se ka realizuar një bisedë telefonike me ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvallën dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, me të cilët ka diskutuar për situatën e tensionuar në veri të Kosovës.

Ai ka potencuar se është e rëndësishme që Serbia t’i lirojë menjëherë policët e kidnapuar nga forcat serbe.

 “Kam komunikuar me ministrat e jashtëm të Kosovës dhe Serbisë. Përsërita thirrjen time për deeskalim urgjent në komunat veriore të Kosovës. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që Serbia t’u japë qasje të menjëhershme dhe t’i lirojë oficerët e ndaluar”, ka thënë ai.

Në një postim në Twitter, Osmani njëherit kryesuesi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ka thënë se është thelbësore që palët të punojnë drejt paqes, teksa thekson gatishmërinë  e OSBE-së që të ndihmojë sipas kërkesës.

“Theksova gjithashtu nevojën që të dyja palët t’i përmbahen Udhërrëfyesit të Komunitetit Ndërkombëtar për de-përshkallëzimin, duke kujtuar se NATO/KFOR ka për detyrë të ofrojë një mjedis të sigurt në komunat veriore”, shkroi ai.