75 Mall Live Search
21:01 / E Martë, 20 Qershor 2023 / mp

Fati i tre policëve të kidnapuar në veri, avokati tregon ecurinë juridike

Kidnapimi i tre policëve kosovarë ditë më parë nga polica serbe në territorin e Kosovës, në afërsi të Leposaviqit, dhe mbajtja e tyre në paraburgim në Gjykatën e Kralevës është ilegale.

Kështu ka vlerësuar avokati Skender Musa.

Në një prononcim për “IndeksOnline”, Musa ka thënë se rrëmbimi  i tyre është veprim politik dhe s’ka të bëjë fare me veprime juridike.

Ai ka shtuar se mbajtja e tyre në paraburgim është në kundërshtim edhe me vet ligjet e Serbisë, është në kundërshtim edhe me konventën ndërkombëtare si dhe ka shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare.

“Vetë rrëmbimi i tyre ka qenë i jashtëligjshëm dhe i panevojshëm. Është politik nga ana e policisë së Serbisë. Madje caktimi i masës prej 30 ditë nga ana e juridike nuk qëndron juridikisht. Por kjo çështje tashmë është në dorën e politikanëve, sidomos të palës serbe. Sepse s’ka asgjë të bëjë me çështje juridike. Për shkak se secili shtet mundet me i rrëmby zyrtarët policorë të një shteti tjetër. Këtu nuk ka ndonjë vepër penale që kanë bërë policët”, tha Musa.

Sipas tij, krejt situata është politike.

Pala e Kosovës në këtë rast nuk mund të bëjë asgjë.

“Tu e pasur parasysh sistemin serb, në raport me shqiptarë, unë mendoj që këta lirohen vetëm nëse ka presion serioz nga ShBA dhe BE-ja. Përndryshe institucionet e Kosovës duhet të koordinohen me këta faktor. Madje ka mundësi që Gjykata e Apelit mundet me e refuzua ankesën për masën e paraburgimit, për shkak se nuk ka ndonjë rast që gjykata e Serbisë i ka trajtuar në mënyrë ligjore shqiptarët në përgjithësi”, tha Musa.

Ndryshe, zyrtarët policorë Rifat Zeka, Beqir Sefa dhe Mustafë Shemi dyshohet se janë kidnapuar nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës.

Prokuroria e Lartë në Kralevë nuk ka dhënë informacione lidhur me ecurinë e procesit ndaj tre policëve të Kosovës të kidnapuar ditë më parë nga forcat serbe në territorin e Kosovës. /IndeksOnline/