Fillon fushata “Festo me zemër jo me armë”, Gërvalla: Përdorimi i armëve në ahengje keqinterpretim i traditës

Ministria e Punëve të Brendshme të premten e ka lansuar fushatën sensibilizuese “Festo me zemër jo me armë” . Moto e kësaj fushate ishin “Festa është gjithmonë më e bukur pa armë” dhe “Dasmorit shumë më bukur i rri në duar shamia, se arma”.
Zv.kryeministrja dhe njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla përgëzoi Ministrisë e Brendshme për nisjen e kësaj fushate. Ajo ka shtuar se përdorimi i armës është vepër penale dhe duhet ndjekur nga të gjitha institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë.
Sipas saj, përdorimi i armës në ahengje është keqkuptuar dhe është keqinterpretim i një tradite më të vjetër se gjashtëshekollure. Ajo më tej ka shtuar se nuset nuk i marrim me dhunë as nuk i grabisim, prandaj thotë se ky mesazh duhet që të përçohet edhe te gjeneratat e reja.
Gërvalla u shpreh e shqetësuar edhe se poezitë për fëmijë janë me luftëra e me armë, duke shtuar se duhet të gjenden mënyra më të mira për t’u treguar atyre se çka ka bërë gjyshërit e tyre në të kaluarën.
“Keqkuptohet se arma e bënë burrin të duket burrë. Keqkuptohet koha kur Kosova nuk kishte lirinë e saj, shtetin e saj. Kohë kur Kosova nuk u mundësonte ndërtimin e të ardhmes sonë. Ne sot nusen e marrim me muzikë, me festë, nuk i grabisim. Nusja sot vjen në një familje ku është e mikpritur. Prandaj keqinterpretimi i një tradite më të vjetër se gjashtëshekullore është ndonjëherë më shumë i dëmshëm se i dobishëm. Është e rëndësishme të mendojmë se ç’mesazh po i përçojmë të rinjve tanë, fëmijëve tanë”.
“Nëse shkoni të shihni poezitë që një fëmijë i vogël di, shumica prej tyre janë me gjak, me luftë, me armë. Duhet të gjejmë mënyra të reja, të mira, për t’ju treguar se çka kanë bërë gjyshërit e tyre. Arma nuk e ka vendin as në familje, as në shtëpi. Arma e ka vendin në duart e Policisë së Kosovës, tek profesionistët të cilët janë të trajnuar të ushtrojnë rendin dhe ligjin qoftë edhe me anë të forcës. Mërgata kur vjen të mos përballet me tragjedi. Përdorimi i armës është vepër penale dhe duhet ndjekur nga të gjitha institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë “.