Mblidhet Bordi i Drejtorëve të AKP-së

Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit mbajti mbledhjen e radhës ku shqyrtoi dhe aprovoi raportet e shpërndarjes për katër ndërmarrje shoqërore: për N.Sh. “Lavërtari Blegtori”, për “Fapol”, për ndërmarrjen “19 Qershori” dhe për ndërmarrjen shoqërore “Sharr”.
Gjatë kësaj mbledhje Bordi shqyrtoi raportin e menaxhmentit për periudhën paraprake, ndërkohë që Njësia e Auditimit të Brendshëm e njoftoi Bordin me raportin e parë tremujor 2023 lidhur me rezultatet e auditimit të brendshëm për periudhën raportuese sipas planit vjetor 2023. Poashtu u shqyrtua Raporti i Komisionit Vlerësues për Bordin e Drejtorëve të AKP-së për takimin me menaxhmentin për vlerësim të progresit për tremujorin e parë 2023.
Bordi gjatë kësaj mbledhje u njoftua me propozimet e Autoriteteve të Likuidimit për raportet përfundimtare për ndërmarrjet shoqërore “Des Bratsvo” dhe për kooperativën bujqësore “Zastoku” në Ferizaj, të cilat i përcillen Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme dhe pas procedurave aty mbyllen ndërmarrjet.
Bordi diskutoi në lidhje me dy çështjet e komasacionit: transformimin pronësor të aseteve të N.Sh-ve dhe shqyrtimin e kërkesave kreditore dhe u pajtua që të ketë takime e konsultime me Komisionin Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti – përgjegjës për AKP dhe me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ku do të paraqes qëndrimet e AKP-së për këto çështje. Gjatë kësaj mbledhje Bordi e shqyrtoi dhe e miratoi kërkesën për qiradhënie direkte nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës për akomodimin e Gjykatës Themelore të Mitrovicës në hapësirën shtesë në asetin e ndërmarrjes shoqërore “Jugobanka”.
Bordi diskutoi dhe e miratoi edhe raportin mujor të ndërmarrjes “Brezovica”, e cila është nën administrimin direkt. Për këtë ndërmarrje Bordi votoi për zgjedhjen e Bordit të përkohshëm me përbërje 5 anëtarë me mandat një (1vjecar), sipas procesit të hapur e konkurrues.
Më tutje, Bordi shqyrtoi dhe e aprovoi raportin e Komisionit të Banesave me gjithsej 11 kërkesa për blerje të banesave. Në vijim të mbledhjes, Bordi i Drejtorëve shqyrtoi raportet rekomanduese të Njësisë së Negocimit Direkt, si dhe aprovoi Raportin e Komisionit për shqyrtimin e ankesave të listave të punëtorëve: 1) NSH KB 1 Maj GJI013 Gjilan, 2) NSH Invest Banka PRN134 Prishtine, 3) NSH KB Strezovci GJI030 Gjilan, 4) NSH Visoko Komerc PRN117 Prishtine, pastaj aprovoi Raportin e Komisionit për përcaktimin e statusit për ndërmarrjen “Borba”, në Prishtinë me anë të cilit u konstatua se këto asete bien në pronësi shoqërore.