Vazhdon edhe sot marrja në pyetje e ekspertit mjeko-ligjor në çështjen e Pjetër Shalës

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës, në gjykimin ndaj Pjetër Shalës edhe në seancën e së hënës është duke vazhduar marrja në pyetje e ekspertit mjeko-ligjor Marek Gasior.
Gjatë seancës së sotme ekipi mbrojtës i Shalës do të fillojë me kundra-pyetjet për të njëjtin, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.
Seanca po vazhdon në sesion publik.
Në fillim të seancës, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Mappie Veldt-Foglia dha dy urdhra me gojë.
I pari urdhër kishte të bënte me një kërkesë që Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) e ka bërë me postë elektronike më 27 qershor 2023 që ka të bëjë me caktimin e numrit për prova materiale.
Ajo tha se sipas ZPS-së ky dokument përbën versionin e saktë të raportit që trupi gjykues e ka pranuar si provë shkresore dhe se raporti fillestar nuk ekziston më dhe se është zëvendësuar me versionin e saktë, kështu që është kërkuar që të caktohet numri për këtë provë materiale.
Andaj, trupi gjykues këtë kërkesë e ka miratuar dhe është udhëzuar zyra administrative që të regjistroj këtë urdhër të dhënë gojarisht.
Kurse, urdhri i dytë kishte të bënte me kërkesën e mbrojtjes, po ashtu të 27 qershorit 2023 për të shtuar një material që do përdor për kundra-pyetjet që do i bëjë dëshmitarit gjatë seancës së sotme.
Gjykatësja Veldt-Foglia tha se ky material është nxjerrë nga ZPS-ja më 26 qershor me një paket shkresore dhe duke qenë se nuk ka pasur kundërshtime, trupi gjykues e ka autorizuar mbrojtjen që të shtojë këtë material në listën e materiale që do përdor gjatë kundra-pyetjeve për këtë dëshmitar.
Ndryshe, gjatë muajit shkurt ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.
Në mars ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku deri më tani janë dëgjuar gjashtë dëshmitarë.
Dëshmitari i parë ka filluar dëshminë e tij më 27 mars dhe e ka përfunduar më 28 mars, dëshmitarja e dytë ka filluar dëshminë më 28 mars dhe e ka përfunduar më 29 mars, dëshmitari i tretë ka filluar më dëshminë më 29 mars dhe e ka përfunduar më 30 mars, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e katërt.
Kurse, dëshmitari i pestë e filloi dëshminë më 1 maj, ndërsa e përfundoi më 2 maj, ku edhe filloi dëshmia e dëshmitarit të gjashtë, e cila përfundoi më 3 maj. Më pas, dëshmia e dëshmitarit të shtatë filloi më 30 maj, e vazhdoi më 31 maj dhe e përfundoi më 6 qershor.
Ndërkaq, dëshmitari i tetë, ekspert për identifikimin e ADN-së ka dhënë dëshminë e tij më 16 qershor, kurse dëshmitari i nëntë, eksperti mjekoligjor ka filluar dëshminë më 26 qershor.
Ndryshe, Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.
“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.