75 Mall Live Search
14:47 / E Premte, 07 Korrik 2023 / k.v

Vrasja në Kryshec të Pejës/ Prokuroria thotë se do vërtetohet kryerja e veprës penale

Në shqyrtimin gjyqësor ndaj të akuzuarit Janifer Gashi për vrasjen e rëndë ndaj tani të ndjerit I.G., prokuroria tha se me prova dhe shkresa të lëndës do vërtetohet se i njëjti ka kryer veprën penale, ndërsa mbrojtja tha se nuk do vërtetohet, duke e kundërshtuar cilësimin e veprës dhe dashjen e kryerjes së veprës penale për të cilën akuzohet.

Këto deklarime i thanë në seancën e së premtes, në Gjykatën Themelore në Pejë, prokurori Agron Galani dhe mbrojtësi i të akuzuarit Gashi, avokati Jeton Osmani, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, prokurori Agron Galani, në fjalën hyrëse deklaroi se gjatë shqyrtimit kryesor do të vërtetohet përtej dyshimit të bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprat penale të përshkruar si në aktakuzë.

Tutje, tha se me deklaratat e të dëmtuarve dhe të dëshmitarëve, raportet mjekësore për të dëmtuarit dhe raportet tjera, fotoalbumi nga vendi i ngjarjes, skicës dhe shkresave të tjera të bashkangjitura në lëndë do të vërtetohet përtej dyshimit të bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën pandehet.

Kurse, i autorizuari i palës së dëmtuar Haxhi Qeku, në fjalën hyrëse tha se në tërësi mbetet panë fjalës hyrëse të prokurorit dhe faktit dhe provat e bashkangjitura të aktakuzës, të cilat sipas tij, në tërësi vërtetojnë përgjegjësinë e të akuzuarit për veprat penale për të cilat akuzohet.

Ndërsa, lidhur me kërkesën pasurore-juridike tha se do ta vlerësojnë me familjen e të dëmtuarit dhe do a paraqesin një kërkesë të tillë apo do të shkojnë në procedurën e paraparë ligjore që e mundëson ligji.

Të dëmtuarit e tjerë Zekë, Lirim, Fetë, Flakrim dhe Florida Gashi, mbështetën fjalën e prokurorit, dhe kërkuan dëmshpërblimin.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Gashi, avokati Jeton Osmani, në fjalën hyrëse e filloi duke i shprehur ngushëllime familjarëve të të ndjerit, dhe shtoi se përgjatë shqyrtimit presin që të vërtetohet se i mbrojturi i tij, nuk i ka kryer veprat të cilat nuk i pranoi si vrasja dhe lëndimi i lehtë trupor si në dispozitivin I dhe II të aktakuzës.

Avokat Osmani tha se i mbrojturi i tij ka pranuar veprimet e veta si në deklaratat e dhëna 8 n♪7ntor 2022, në Prokurori, deri në plagosje të të ndjerit.

Ai ka shtuar se aktakuzën e kundërshtojnë për arsyet e cilësimit jurdik të veprës penale.

Sipas tij, duke u bazuar në shkresat e lëndës dhe provat në aktakuzë, nuk do mund të vërtetohet qëllimi dhe pasoja siç janë të përshkruara në atë aktakuzë ku thuhet se ka qenë dashja e të mbrojturit të tij.

Osmani gjithashtu propozoi gjykatës që të merr për bazë deklarimin e të pandehurit të dhënë me 8 nëntor 2022, para prokurorisë ku shihet se i njëjti ka pranuar veprimet e veta ku ka sqaruar rrethanat se si ka ardh deri te plagosja e të ndjerit.

I akuzuari Janifer Gashi, mbeti pranë fjalës hyrëse të mbrojturit të tij, duke mos shtuar asgjë.

Pas fjalës hyrëse mbrojtësi i të pandehurit Janifer Gashi, avokati Osmanaj, deklaroi se për seancën e sotme ka qenë i përgatitur vetëm për fjalën hyrëse dhe kërkoi nga gjykata që seanca të shtyhet dhe të përcaktohet radha se si do të merren në pyetje dëshmitarët të dëmtuarit për arsye që të jetë i përgatitur në marrjen në pyetje me qëllim të sqarimit të rrethanave të nevojshme se si ka ndodhur rasti.

Një propozim të tillë nuk e kundërshtuan as prokurori Agron Galani si dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar avokati Haxhi Qeku.

Ndërsa të dëmtuarit tjerë e kundërshtuan propozimin e mbrojtësit.

Më pas trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Shaqë Curri, mori aktvendim që të pranohet propozimi i mbrojtësit dhe seancat e radhës u caktuan për 2 Gusht, 7 dhe 8 Shtator 2023.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria e Pejës, me 13 mars 2023, po e ngarkon të akuzuarin Janifer Gashi, që me 28 qershor 2022, rreth orës 21:04 min, në fshatin Kryshec, Komuna e Pejës, para lokalit “Shelnja” për shkak të mosmarrëveshjeve të mëparshme në mes të pandehurit dhe tani të ndjerit I.G, me dashje ka privuar tani të ndjerin I.G, si dhe me ç’rast me dashje i shkakton lëndim të lehtë trupor të dëmtuarit Flakërim Gashi dhe po ashtu me dashje ka rrezikuar edhe jetën e tani të dëmtuarve Zekë, Denis, Lirim dhe Fetë Gashi.

Sipas aktakuzës, pasi që i akuzuari me veturën e tij kishte shkuar në vendin e ngjarjes, tek lokali “Shelnja”, zbret nga vetura dhe nga një distancë prej afro një ose dy metrave i drejtohet tani të ndjerit, i cili në atë moment ishte ulur në tavolinë me të dëmtuarit e tjerë, dhe me fjalët “a më thirre ti në telefon”, dhe pas përgjigjes së të ndjerit “unë as nuk të thirra, as së kam numrin tënd”, i akuzuari Janifer nga brezi nxjerrë pistoletën e llojit M-57, kalibrit 7.62m.m, bënë dy, tre hapa mbas dhe nga një distancë prej dy-tre metrave shtënë pesë herë në drejtim të tani të ndjerit I. dhe të dëmtuarve, duke e goditur tani të ndjerin I. me katër predha në pjesën e abdomenit e të cilat lendimë kanë qenë të rrezikshme për jetën e tani të ndjerit, e ku ky i fundit pas lëndimeve vdes në QKUK me 5 korrik 2022.

Sipas aktakuzës thuhet se me këtë ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë nga neni 173 pika 1.5 të KPRK-së.

Në dispozitivin e dytë i akuzuari Gashi, ngarkohet se sipas përshkrimit të ngjarjes së lartcekur, me dashje i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore të dëmtuarit Flakërim Gashi, ku pas goditjeve të cilat pësoi i ndjeri I.G, po ashtu me një predhë godet të dëmtuarin Flakërim Gashin, në regjionin e kërcirit të djathtë, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore si dhe duke i rrezikuar edhe jetën e të dëmtuarve të tjerë.

Sipas aktakuzës, për këtë thuhet se ka kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor, nga neni 185 par.2 lidhur me par.1 pika 1.1 të KPRK-së.

Gjithashtu në dispozitivin e tretë, i akuzuari Gashi, ngarkohet se në mënyrë të paautorizuar dhe në kundërshtim me Ligjin mbi armë, ka mbajtur në pronësi dhe kontroll një pistoletë të llojit M-57, prodhim S.F.R.J. kalibrit 7.62 m.m, me numer serik TK-242268 se bashku me një karikatorë dhe shtatë fishekë të cal.7.62×25 m.m, me të cilën armë ditën kritike kishte shtënë pesë herë në drejtim të tani të ndjerit I.G.

Me këtë rast thuhet i njëjti ngarkohet se ka kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par/1 të KPRK-së./BetimipërDrejtësi