Krasniqi dhe Lajçak flasin për shtensionimin e situatës në veri

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është takuar me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Në këtë takim është biseduar për zhvillimet e fundit politike në Kosovë, për të cilat Krasniqi thotë se ka shprehur qëndrimet e tij.
“Për PDK-në janë të papranueshme veprimet të cilat po e largojnë Kosovën nga rruga e paalternativë e integrimit euro-atlantik dhe të cilat po i sjellin vendit sanksione nga partnerët tanë” ka thënë i pari i PDK-së.
Ai shtoi se PDK do të angazhohet në misionin e saj në ruajtjen e interesit të qytetarëve dhe shtetit, sidomos në shtensionimin e situatës në komunat veriore dhe kthimin në normalitet.
Ky është njoftimi i plotë i Krasniqit:
Sot, në Bruksel, takova Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale në Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak. Me emisarin Lajçak diskutuam për zhvillimet e fundit politike në Kosovë, me ç’rast i shpreha edhe një herë qëndrimet e mia në raport me to.
Për PDK-në janë të papranueshme veprimet të cilat po e largojnë Kosovën nga rruga e paalternativë e integrimit euro-atlantik dhe të cilat po i sjellin vendit sanksione nga partnerët tanë. PDK do të angazhohet fuqishëm në misionin e saj, që përmes të gjitha mjeteve demokratike, të ruaj nteresin e qytetarëve dhe shtetit të Kosovës. Kjo vlen edhe për sa i përket shtensionimit dhe kthimit të normalitetit në komunat e pjesës veriore të Kosovës.