75 Mall Live Search
13:19 / E Martë, 25 Korrik 2023 / LB

S’kanë të ndalur zhvillimet në PD/ Bardhi sfidon Bashën, të enjten mbledh Këshillin Kombëtar për të pezulluar zgjedhjet

Një ditë pasi deklaroi se do të mbledhë Këshillin Kombëtar pas kërkesës që i ishte bërë nga një grup deputetësh për të pezulluar zgjedhjet për kryetarin e PD që do të mbahen me 29 korrik, sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi ka caktuar datën e mbledhjes së Këshillit Kombëtar.

Mësohet se mbledhja është caktuar që të mbahet online, ditën e enjte në orën 19.00. Bardhi ka thirrur mbledhjen bazuar në kompetencat që i njeh Statuti, që kur partia është pa kryetar, Statuti parashikon që është Sekretari i Përgjithshëm ai që ka të drejtën të thërrasë mbledhjen e Këshillit Kombëtar.

Pas vendimit të Bardhit dje rrodhi një dokument sipas të cilit me propozim të 1/5 së anëtarëve, Kryesia e mbledhur në 18 korrik ka vendosur që vula të prodhohet dhe administrohet nga sekretari i çështjeve ligjore dhe zgjedhore Indrit Sefa dhe jo më nga Gazment Bardhi. Ky u interpretua si një veprim i mbështetësve të Bashës për të mos penguar zhvillimin e zgjedhjeve.