Ambasadori Rohde: Mbyllja e një prej mediave më të mëdha në Kosovë, goditje serioze për lirinë e medias

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar pas vendimit të MINT për mbylljen e Klan Kosova.
Duke shpërndarë postimin e Qendrës Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF), Rohde thotë se kjo situatë është shumë shqetësuese.
“Shumë shqetësuese: Mbyllja e një prej mediave më të mëdha në Kosovë do të ishte një goditje serioze për lirinë e medias” ka shkruar Rohde në Twitter.
Në anën tjetër, ECPMF thotë se ky vendim është i paprecedentë dhe se rrezikon pluralizmin e mediave.
“Jemi të tmerruar të mësojmë se Ministria e Tregtisë në Kosovë ka përfunduar sot të gjithë hapat e nevojshëm për mbylljen e medias më të madhe private në vend, Klan Kosova.
Kjo është e paprecedentë në historinë e re të Kosovës dhe rrezikon seriozisht pluralizmin, lirinë e mediave dhe dërgon një mesazh të qartë për mediat tjera. I bëjmë thirrje Klan Kosovës që të luftojë kundër vendimit para gjykatave kombëtare” thuhet në reagim.