75 Mall Live Search
21:17 / E Martë, 15 Gusht 2023 / MSH

4 deri në 7 vite vonesa, Auditimi me raport për stadiumet e Gjilanit, Mitrovicës dhe Gjakovës

Ka kohë që stadiumet në Mitrovicë, Gjilan dhe Gjakovë nuk janë duke u rinovuar, pavarësisht kontraktimeve që janë bërë tash e disa vite.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin “Renovimi dhe rikonfigurimi i Stadiumit të qytetit në Mitrovicë, Gjilan dhe Gjakovë”, ku është vlerësuar efikasiteti i MKRS-së dhe komunave në fjalë në menaxhimin e projekteve për renovimin e stadiumeve.

“Sipas Udhëzuesit të UEFA, tri projektet në fjalë i takojnë kategorisë së katërt të stadiumeve, me kapacitet më të madh, të atilla që në momentin e licencimit, në to mund të zhvillohen ndeshje ndërkombëtare të klubeve dhë kombëtares së Kosovës. Këto stadiume janë të vetmet të kësaj kategorie që janë duke u realizuar në Kosovë. Vlera e përgjithshme e kontratave që kishte lidhur MKRS me komunat për renovimin e tri stadiumeve ishte 16.7 milionë euro, ndërsa deri në kohën kur auditimi është kryer janë shpenzuar vetëm 5.6 milionë euro” thuhet në raport.

Tutje, sipas rezultateve të auditimit, realizimi i këtyre projekteve është përcjellur me vonesa disavjeçare, kosto shtesë si dhe cenim të transparencës dhe konkurrencës në proceset e prokurimit.

“Pavarësisht se kanë kaluar katër deri në shtatë vjet që nga fillimi i procesit, stadiumet janë ende larg përfundimit. Madje, projektet mund të mos përfundojnë plotësisht dhe të mos funksionalizohen brenda afatit optimal kohor” thuhet tutje në raport.

Si konkludim, ZKA thotë se Komunat nuk i kanë arritur qëllimet e përcaktuara për renovim dhe rikonfigurim të stadiumeve.

Në raport gjithashtu thuhet:

Rezultatet e auditimit tregojnë se mos sigurimi me kohë i parakushteve të nevojshme bëri që shpronësimi i pronave për projektin e renovimit të Stadiumit Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë të shndërrohet në pengesë kryesore të realizimit të punimeve.

Ndërsa Komuna e Gjilanit ka bërë ndryshime substanciale të kontratës për renovimin e stadiumit pa respektuar hapat e duhur, duke i shkaktuar komunës kosto shtesë prej 219,680 euro. Përveç kësaj, proceset e prokurimit u përcollën me probleme që cenuan transparencën dhe konkurrencën përgjatë tyre. Procedurat e negociuara në tri raste të prokurimit nuk u arsyetuan siç duhet dhe nuk plotësuan kushtet e duhura për t’u shfrytëzuar si të tilla.

Hartimi i projektit për stadiumin e qytetit në Gjakovë, në mungesë të dokumenteve të nevojshme ligjore, rezultoi me zvogëlimin e numrit të ulëseve dhe kategorisë së stadiumit nga kategoria katër në atë tre, sipas udhëzuesve të UEFA-së. Njëkohësisht,  shkaktoi vonesa edhe në realizimin e projektit. Ky projekt është në fazën fillestare të realizimit.