75 Mall Live Search
19:01 / E Premte, 18 Gusht 2023 / MSH

Hajdari nuk beson se ka keqpërdorime në MINT

Ministrja Rozeta Hajdari, pas arrestimeve në Ministri të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ka thënë se nuk beson në asnjë keqpërdorim të zyrtarëve të arrestuar të kësaj ministrie.

Pas aksionit të Policisë së Kosovës dhe arrestimit të dy zyrtarëve të MINT për dyshime të keqpërdorimeve të Rezervave Shtetërore, Hajdari tha se ka mirëpritur çdo hetim, edhe pse kjo ka qenë në kundërshtim me ligjin.

Sipas saj, dokumentet që janë marrë për hetim janë klasifikuar si sekrete shtetërore.

Ajo është shprehur se furnizimi me mallra shtetërore është bërë në pajtim me legjislacionin në fuqi.

Hajdari tha në qeverisjen Kurti është tridhjetëfishuar malli në rezervat shtetërore, derisa ka gjetur kohë të akuzojë qeverisjet e kaluara për “vjedhje”.

“Jam njoftuar sot se në MINT kanë ardhur njësia hetuese e Prokurorisë Speciale me urdhër të prokurorit Valdet Gashi për kontrolle të dy zyrtarëve të lartë të MINT, të Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica”.

“Për më tej, PS ka bërë njoftimet për rastin që po hetohet nga ta. MINT mirëpret çdo hetim për rastin e blerjes së rezervës shtetërore, ani pse jemi të bindur se furnizimi në rezervat shtetërore është në pajtim me ligjet në fuqi.”, tha Hajdari.

“Si ministre organet hetimore pres të mos cenojnë sigurinë shtetërore, sepse gjatë hetimeve dokumentet që janë marrë si prova nga policia, janë klasifikuar si sekrete shtetërore, ndërsa policia s’ka paraqitur certifikatë siguruese”

“MINT i siguron të gjithë qytetarët se procesi i furnizimit me mallra për rezervën shtetërore me standarde dhe parametra të caktuara të cilësisë është trajtuar dhe monitoruar sipas legjislacionit në fuqi dhe nuk dyshojmë në asnjë keqpërdorim nga zyrtarët tanë që janë ndaluar sot për 48 orë në polici”.

“Ka përpjekje të mëdha që të keq informohet publiku, motivet dhe arsyet duhet të hetohet gjithashtu”, ka thënë ministrja Hajdari.