‘Llugë’ në arsim, SBAShK merret me minatorët grevistë

SBAShK ka reaguar pas lajmit për ndëshkimin e 151 minatorëve grevistë.
Në reagimin e SBAShK thuhet se përkundër angazhimeve të djeshme janë shqetësuar shumë me vendimin e kryeshefit ekzekutiv të ‘Trepçës’.
“Ftojmë Ushtruesin e detyrës së kryeshefit ekzekutiv në “Trepça” që të heq dorë nga kjo ide e ndëshkimit të padrejtë dhe të angazhohet që minatorët të marrin pagat e plota e me kohë”, thuhet ndër të tjera në komunikatën dërguar medieve.
Komunikata e plotë:
Edhe për kundër shumë angazhimeve të djeshme në SBASHK na ka shqetësuar shumë informacioni se Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv në “Trepça” paska marrë vendim skandaloz që të ndëshkojë 151 minatorë pse ata paskan bërë grevë të arsyeshme sepse u janë vonuar pagat me të cilat ata mbajnë familjet , paga këto që i fitojnë me shumë mund e sakrifica e duke u përballur me të papriturat që vijnë në thellësitë e tokës.
E gjithë anëtarësia e SBASHK-ut solidarizohet fuqishëm me minatorët e gjigantit “Trepça” dhe i drejtohet z. Enisit që të mos e vë në jetë këtë ndëshkim. Ai duhet të kujtojë të tashmen , por edhe të kaluarën dhe historinë e ndritshme të minatorëve të Trepçës, që me sakrificë sublime e me grevën madhështore dikur ndihmuan që historia e Kosovës të ndërrojë kahe për të mirë . Solidarizohemi me këta minator që shefi dashka t’i ndëshkojë e t’i frikësojë që në të ardhmen mos të guxojnë as të përmendin fjalën grevë, por minatorët nuk janë frikësuar kurrë e nga askush. Solidarizohemi se edhe neve punëtorëve të arsimit u munduan të na frikësojnë me ndalje mëditjes e të pagës vetëm pse ishim në grevën e lejuar me Ligj e të mbrojtur edhe me Kushtetutë.
Ftojmë Ushtruesin e detyrës së kryeshefit ekzekutiv në “Trepça” që të heq dorë nga kjo ide e ndëshkimit të padrejtë dhe të angazhohet që minatorët të marrin pagat e plota e me kohë.