Aeroporti sot i stërmbushur, po ikin edhe mërgimtarët “e fundit”

Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” sot ka qenë i stërmbushur nga bashkatdhetarët që kanë kryer pushimet në Kosovë.
Pas rrugëve tokësorë të ngarkuara në dy javët e fundit, sidomos ato që qonin drejt pikave kufitare të vendit, ka edhe shumë mërgimtarë që kanë zgjedhur rrugët ajrore për t’u kthyer në vendet e tyre në mërgim.
Gjatë muajit korrik, është thyer rekord në shifrën e fluturimeve dhe udhëtarëve, ku rreth 400 mijë sosh kanë udhëtuar përmes Aeroportit, raporton Indeksonline.
“Nga Janari i këtij viti e deri më sot përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’ LKIA, kanë kaluar pothuajse 2 milionë udhëtarë, ndërsa vetëm në muajin korrik përmes këtij aeroporti kanë kaluar 400,000 udhëtarë duke shënuar një rritje të përgjithshme në numër të udhëtarëve në këtë vit prej rreth 14% dhe në numër të fluturimeve rreth 6%”, ka njoftuar Aeroporti në statistikat e ndara për muajin korrik.
Në anën tjetër, pikat kufitare sot kanë pasur fluks më të vogël udhëtarësh, njëherazi edhe pritjet kanë qenë më të vogla se sa në ditët që lamë pas./Indeksonline/