Pacienti që vdiq nga zjarri në Klinikën e Psikiatrisë, QKUK: U ngulfat nga tymi

Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka dhënë detaje mbi rastin e mbrëmshëm, ku një pacient në Shërbimin Emergjent të Klinikës së Psikiatrisë ka ndërruar jetë.
Indeksonline raportoi ekskluzivisht rreth rastit, ku pacienti në fjalë dyshohet të ketë djegur dyshkeun dhe batanijën e dhomës në të cilën po qëndronte.
Sipas QKUK-së, i njëjti ka humbur jetën si pasojë e ngulfatjes nga tymi.
Një tjetër paciente ka pësuar shenja të helmimit nga tymi, njëjtë sikur dy mjekë dhe dy infermiere që ishin pjesë e ekipit kujdestar.
Ky është njoftimi i plotë i QKUK-së:
Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), njofton se mbrëmë rreth orës 23:00, në Repartin e Urgjencës dhe Intensives Psikiatrike ka ndodhur një zjarr, në njërën nga dhomat e tipit të mbyllur, ku qëndrojnë pacientët përkohësisht, pacientë në gjendje të agresivitetit dhe agjitimit të theksuar psikomotor, jo koshient për gjendjen mendore.
Në të njëjtin Repart, në të njëjtën kohë, dyshohet se një pacient i ka vënë zjarrin në rrethana të panjohura dhomës së tipit të mbyllur, me ç’rast si pasojë e ngulfatjes nga tymi (asfiksioni) ai ka humbur jetën, përkundër përpjekjeve maksimale të stafit shëndetësor për ta shpëtuar pacientin.
Gjithashtu gjatë kësaj kohe, një paciente tjetër ka pësuar shenja të helmimit nga tymi, e poashtu e tërë ekipi kujdestare, dy mjekë dhe dy infermiere të cilët gjatë ofrimit të ndihmës për pacientin në fjalë dhe evakuimit të pacientëve të tjerë, kanë manifestuar shenja të helmimit nga tymi dhe kanë marrë ndihmë mjekësore në Klinikën Emergjente.
Rasti është duke u hetuar nga njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës.