Osmani e Konjufca bëjnë homazhe te Memoriali për të Pagjeturit

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca kanë bërë homazhe te Memoriali për të Pagjeturit, në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve.
Bashkë me ta ishin edhe ministra e familjarë të të pagjeturve, raporton Indeksonline.

Në fjalën e saj, Osmani tha se shteti serb nuk po e zbaton marrëveshjen e arritur në Bruksel për hapje të arkivave.
Tutje ajo ka kërkuar që bashkësia ndërkombëtare ta shtojë trysninë ndaj Serbisë që t’i dorëzojë të zhdukurit me dhunë.
Presidentja kërkoi që komuniteti ndërkombëtar të mendoj për nënat që ende shkojnë te varri i zbrazët, e për fëmijët që ende nuk e din se ku i kanë prindërit e tyre.
“I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe miqve aleatë që të mendojnë për prindërit dhe familjarët që ende të zhdukurit i kanë në varrezat e Serbisë. Të mendojnë për nënën që e ka varrin e zbrazët, të mendojnë për fëmijët që ende nuk e dinë ku e kanë babain, që Serbia t’i dorëzojë të pagjeturit”.

