75 Mall Live Search
13:32 / E Mërkurë, 06 Shtator 2023 / k.v

Shpërthimi i bombolës së gazit/ Gruaja pëson djegie në 85% të sipërfaqes trupore

Burrë e grua nga një fshat i Lipjanit kanë pësuar lëndime të rënda pasi bombola e gazit kishte shpërthyer në shtëpinë e tyre mëngjesin së martës. Ata ndodhën në mjekim intenziv ndërsa për gjendjen e tyre shëndetësore ka folur mjeku kujdestar nga Kirurgjia Plastike, Korab Berisha.

Ai për IndeksOnline ka thënë se pacientja grua ka pësuar djegie 85% të sipërfaqes trupore ndërsa pacienti burrë 20-25 % të sipërfaqes trupore.

“Sot nga ekipi i Kirurgjisë Plastike është bërë përpunimi primar i plagëve për dy pacientë, burrë dhe grua, djegie të gradës ll a II b dhe grada III me bombole gazi. Pacientja grua ka pësuar djegie 85% të sipërfaqes trupore ndërsa pacienti burrë 20-25 % të sipërfaqes trupore. Të dy pacientët janë udhëzuar të transferohen për në mjekimin inteziv për shkak se gjendja e tyre është e rëndë”, ka thënë Berisha.

Ndërsa nga Policia e Kosovës kanë thënë se rasti ka ndodhur të martën rreth orës 07:40, transmeton IndeksOnline.

“Raportohet se në rrethana deri më tani të pa njohura në shtëpinë e viktimës në një fshat në Lipjan kishte shpërthyer sistemi me gaz i ngrohjes. Si pasojë e shpërthimit lëndime trupore kanë pësuar dy viktimat kosovarë (bashkëshort), të cilët janë dërguar për tretman mjekësor. Njësitë relevante policore dhe prokurori i shtetit kanë dal në vendin e ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas policisë, një i dyshuar është shoqëruar në polici dhe i njëjti pas intervistimit me rekomandim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt. Rasti vazhdon të hetohet nga njësitet kompetente.

Eksperti i Sigurisë, Tahir Ahmeti, ka folur për masat të cilat duhen të merren në lidhje me sigurinë e bombolave të gazit.

Ahmeti, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, tha se kryerja e kontrolleve periodike të bombolave të gazit, si dhe instalimi dhe përdorimi i drejtë i tyre janë tri parametra që duhet marrë.

“Janë tri parametra që duhet të kihet parasysh tek siguria e bombolave të gazit, cilësi e bombolave të gazit, kryerja e aseteve dhe kontrolleve periodike të tyre, si dhe instalimi dhe përdorimi i drejtë i këtyre bombolave”, tha Ahmeti.

Ky reagim i tij vjen pas rastit të shpërthimi të bombolës së gazit në një familje në Lipjan./IndeksOnline/