Ekspertët: Themelimi i institucionit të sigurisë, akt madhor dhe sfidues

Sot u mbushën 24 vjet që nga themelimi i institucionit të sigurisë në Kosovë. Për përjetimet, sfidat dhe sukseset e këtij institucioni, në Rtk kanë folur Nuredin Ibishi, si komandant i gjeneratës së parë të këtij institucioni, dhe Sheremet Ahmeti, i cili në atë kohë ishte i burgosur në Serbi, më vonë u pat zgjedhur drejtor i Shërbimit të Policisë së Kosovës.
Nuredin Ibishi, komandant i gjeneratës së parë të Policisë së Kosovës, që në fillim quhej Shërbimi Policor i Kosovë, foli për ndjenjën e të qenit polic i Kosovës pas luftës, në vitin 1999.
Sipas tij, ishte një situatë mjaftë sfiduese, ngase ishte pak kohë pas çlirimit të vendit, ku krahas Policisë së UNMMIK-ut, parashihej krijimi i kapaciteteve të policisë vendore.
“Modeli i ngritjes së kapaciteteve policore ishte danez, pasi që ishte edhe dhuratë nga ai vend. Nuk kishim shenja në uniformë që do të dallohej, vetëm harta e Kosovës që ishte si simbolikë”, deklaroi Nuredin Ibishi në “RTK Prime”, derisa qartësoi se me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, bëhet edhe riemërimi i këtij institucioni të sigurisë, nga Shërbimi Policor i Kosovë, në Polici të Kosovës, ku miratohen ligjet që kanë të bëjnë me këtë institucion të sigurisë.
Ai, mes tjerash, kujtoi ecurinë e zhvillimit të këtij institucionin përmes ligjeve që kishin të bënin me bartjen e kompetencave te ky institucion.
Ndërkaq Sheremet Ahmeti, i cili në kohën kur u themelua Shërbimi Policor i Kosovës, ishte në burg në Serbi, tha se krijimi i këtij institucioni të sigurisë ishte përjetuar, siç u shpreh ai, me entuziazëm të veçantë, derisa shtoi se pas lirimit nga burgu ishte inkuadruar në Shërbimin Policor të Kosovës.
“Pavarësisht nga përvoja e së kaluarës, kam qenë polic si çdo polic tjetër”, teksa sqaroi se më vonë ka qenë komandant i gjeneratës së tetë.
Tutje, Ahmeti theksoi se krahas asaj që ka përjetuar Kosova më herët, themelimi i institucionit të sigurisë është akt madhor.
Nga të pranishmit u tha se policët e Kosovës, në vitet e para të pasçlirimit, kanë shërbyer pa armë.
E Nuredin Ibishi bëri të ditur se Policia e Kosovës, në fillet e para të saj ishin pjesëtarë të dala nga lufta e Kosovës, që ishin pjesëtarë të UCK-së, por edhe nga pjesëtarë të policisë të cilët ishin burgosur dhe të përjashtuar nga puna në vitet ’90-ta, duke përmendur edhe përfshirjen e gjinisë femërore.
Derisa Sheremet Ahmeti përmendi periudhën e kohës së para shpalljes së pavarësisë, në vitin 2004 , kur ishin shpërthyer trazirat në të gjithë vendin, ka shtuar se ka pasur përpjekje që “Policinë e Kosovës ta çojnë në shtëpi nga disa faktorë të UNMIK-ut, te cilët kanë dashur ta kthejnë situatën para viteve 90-ta”.
“UNMIK-u ka gjuajtur uniformën, ka shkuar në pjesën veriore”, teksa ai më tej sqaroi se pjesëtarë të UNMIK-ut amerikanë kanë qenë korrektë.