Me kërkesë të të akuzuarit për shkak të gjendjes shëndetësore, ndërpritet gjykimi për korrupsion

Për shkak se ish-gjeodeti Haxhi Haskaj, i akuzuar për përvetësim në detyrë nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore dhe kërkoi që të shtyhet seanca, është ndërprerë seanca e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Paraprakisht, për shkak të ndërrimit të trupit gjykues, shqyrtimi gjyqësor filloi rishtazi për shkak të ndërrimit të një anëtari të trupit gjykues, ashtu që në vend të Ngadhnjim Arrnit është Gent Beka.
I akuzuari Haskaj, pasi iu dha fjala nga kryetarja e turpit gjykues, gjykatësja Medie Bytyqi të deklarohej rreth fajësisë, tha se nuk ndihet fajtor, ndërsa shtoi nuk është në gjendje të mirë shëndetësore duke kërkuar që të shtyhet seanca për një datë tjetër.
Kurse, mbrojtësi i tij sipas detyrës zyrtare, avokati Agron Curri, tha se e mbështet kërkesën e të mbrojturit të tij për shtyrje të seancës, pasi gjendja e të njëjtit nuk është stabile, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Të arsyeshme, kërkesën për shtyrje të seancës e ka konsideruar edhe prokurorja Merrushe Llugiqi.
Si të tillë, këtë propozim nuk e ka kundërshtuar as përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Ndue Kurti, mirëpo sipas tij ishte e nevojshme që të sjellë dokumentacionin përkatës.
Ndryshe, pasi që gjykimi filloi rishtazi, me pajtimin e palëve u konsiderua e lexuar aktakuza si dhe të gjitha veprimet e ndërmarra deri më tani.
Kjo pasi, i akuzuari Haskaj dhe mbrojtësi i tij avokati Curri, deklaruan se heqin dorë nga leximi i aktakuzës pasi e njëjta ishte lexuar në shqyrtimin fillestar.
Në këto rrethana, gjykatësja Bytyqi përmes aktvendimit seancën e sotme e ndërpreu, ndërsa për të njëjtën tha se caktohet më 9 nëntor 2023.
Në seancën e radhës, në cilësinë e dëshmitarit pritet të dëgjohet Sabedin Haxhiu.
Ndryshe, në seancën e 4 prillit, prokurorja Merrushe Llugiqi, ka bërë precizimin e kohës në një pjesë të aktakuzës.
Kujtojmë se, ky rast ka qenë duke u gjykuar nga gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj, por pasi që e njëjta ka kaluar në Departamentin Special të kësaj gjykate, lënda ka kaluar te gjykatësja Medie Bytyqi.
Sipas aktakuzës, së ngritur më 16 dhjetor 2014, Haxhi Haskaj akuzohet se kishte marrë autorizim nga M.P., më 16 korrik 1998, për të kryer shitblerjen e një ngastre kadastrale, me sipërfaqe prej më shumë se një hektar tokë, në lagjen “Kalabria”, në Prishtinë.
Mirëpo këtë autorizim, sipas prokurorisë, Haskaj e ka përdorur edhe pas vdekjes së M.P., në mënyrë që sa ishte duke punuar në Drejtorinë për Kadastër në Komunën e Prishtinës, si gjeodet ka bërë ndarjen fizike të ngastrave për blerësit e tyre.
Haskaj, sipas aktakuzës, pretendohet se ngastrën tokësore e kishte ndarë në 18 parcela me pronarë të ndryshëm, sipas fletëve poseduese dhe nga këto 18 parcela, 8 prej tyre i kishte shitur duke përdorur autorizimin e të ndjerit, P.
Me anë të shitjes së këtyre parcelave, sipas aktakuzës, Haskaj kishte përfituar mbi 315 mijë (DM) marka gjermane, të atëhershme, të cilat para nuk ua kishte dhënë familjarëve të të ndjerit M., duke i shkaktuar dëmin e lartcekur. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.