Bregu: Integrimi i Ballkanit në BE, është çelësi që kemi në duar

Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal të Shqpërisë, Majlinda Bregu, ka deklaruar se është histori suksesi e bashkëpunimit rajonal reduktimi i roamingut BE-Ballkan Perëndimor.
Sipas Bregut, ky ishte një demonstrim i qartë i angazhimeve dhe premtimeve të mbajtura.
Në takimin ministror të BE-BP, organizuar në kuadër të Procesit të Berlinit nga Qeveria Shqiptare, Bregu gjithashtu potencoi se kjo nuk mund të arrihej po të mos bëhej bashkëpunim i ngushtë me Komisionin Evropian dhe mbështetjen politike të BE-së.
“Kjo arritje është vetëm një prej fitoreve të Tregut të Përbashkët Rajonal. Për ne do të thotë shumë, pasi i jep kuptim bashkëpunimit rajonal. Sa herë që bëhemi bashkë, për t’i bërë më të prekshme inistiativat e projektet për lehtësimin e jetës së qytetarëve tanë, mund të arrijmë të bëjmë vërtet punë të mira. Po investojmë për të zgjeruar më tej grupin e profesioneve, që mbulon Marrëveshja e parë historike e Lëvizshmërisë për njohjen e kualifikimeve profesionale në rajonin tonë. Vitin e kaluar në Berlin, ne nënshkruam grupin e parë të këtyre marrëveshjeve dhe tani, RCc po synon të shtojë edhe katër profesione të reja, që do të mund të njihen në çdo vend të rajonit, nismë kjo që është gati për t’u miratuar, më 16 tetor, në Samiti”, shtoi Bregu.
Në takim ishin të pranishëm Ministrat e Punëve të Jashtme të rajonit dhe BE-së, përfshirë ministren e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, për të diskutuar situatën gjeopolitike, sfidat dhe mundësitë në të ardhshmen, për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe rajonal dhe avancimin e integrimit të rajonit në BE.
“Rajoni ynë nuk është aty ku ne do të donim dhe ku do të duhej të ishte. Për fat të keq, konfliktet që vazhdojnë ende, mund të pengojnë investimet dhe rritjen ekonomike. Ndaj Ballkani Perëndimor duhet të bëjë pjesën e vet. Është një punë e madhe, e pandërprerë, që Ballkani Perëndimor duhet të bëjë, por që ndonjëherë nuk i bën. Ky është një fakt duhet të ndryshojë sa më shpejt, sepse kemi çelësat në dorën tonë që ta bëjmë zgjerimin mes rajonit dhe BE-së sa më të besueshëm”, përfundoi Bregu.
Takimi i paraprin Samitit të Procesit të Berlinit, që do të zhvillohet pas 10 ditësh në kryeqytetin shqiptar, i cili është i pari nga kryeqytetet e rajonit që pret këtë Samit.