Opozita kërkon sërish mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për policinë

Partitë opozitare në Kuvend kanë kërkuar sërish mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për Policinë e Kosovës, pasi legjislativi nisi vazhdimin e seancës tjetër të planifikuar të enjten.
Kur po mbahet vazhdimi i seancës së javës së kaluar, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja theksuan nevojën për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për policinë, meqenëse janë të pranishëm deputetët e mazhorancës.
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, tha se asnjë seancë tjetër nuk duhet të jetë prioritet më shumë sesa votimi i rezolutës për zbatimin e kërkesave të Policisë së Kosovës.
Kërkesë të njëjtë adresoi edhe deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.
Ndërkaq, deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, duke theksuar nevojën për mbajtjen e seancës për policinë, ai paraqiti disa nga vështirësitë që policët po hasin në teren.
Mirëpo kryetari i Kuvendit tha se seanca e sotme e jashtëzakonshme për Policinë e Kosovës nuk është hapë fare, andaj nuk ka pasur nevojë për ta mbyllur atë.
Seanca e jashtëzakonshme për policinë ishte dashur të mbahej në orën 11:00, por dështoi për shkak të mungesës së deputetëve të pushtetit.
Në anën tjetër, kryeparlamentari Konjufca nuk hodhi në votim tri marrëveshje ndërkombëtare që ishin në rend të ditës, pasi nuk kishte kuorum për vendimmarrje.
Kuvendi po vazhdon punimet, ku aktualisht po shqyrtohet në lexim të dytë Projektligji për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.