75 Mall Live Search
17:02 / E Shtunë, 28 Tetor 2023 / MSH

“Akordet” apo “Festivali”, Kabashi sqaron emërimin e “Festivalit të Këngës në RTK”

Ish-drejtori i Televizionit në RTK, Festim Kabashi, ka sqaruar se përse “Festivali i Këngës” nuk u quajt “Akordet e Kosovës”.

Përmes një postimi në Facebook, Kabashi tha se projekti ishte konceptuar si rikthim i “Akordeve të Kosovës”, por që disa procedura e kanë vështirësuar dhe cënuar Festivalin.

 “Ky proces sa vinte e bëhej më i ndërlikuar, marrë parasysh pengesat e përmendura më lart, saqë po rrezikohej edhe vetë projekti për rikthimin e festivalit. Në fund të vitit 2022, vendosëm ta rikthejmë fillimisht festivalin. U dëshmua gjatë dy netëve të para të tij se nuk kemi gabuar. “Akordet…” u rikthyen në skenë, më vonë mund t’ia rikthejmë edhe emrin” tha mes të tjerash ai.

Kujtojmë se sonte është nata finale, ku edhe do të gjedhet konkurrenti fitues i Festialit.

Kyy është reagimi i plotë i tij:

“Akordet e Kosovës” vs “Festivali i Këngës në RTK”

Jashtëzakonisht i lumtur me nisjen e Festivalit të Këngës në RTK, për të cilin u punua pa ndalur dhe me shumë dashni përgjatë tri viteve të fundit.

Për shkak të debatit rreth emrit të Festivalit, dua të sqaroj se ky projekt ishte konceptuar si rikthim i “Akordeve të Kosovës” dhe ishte dorëzuar në MKRS qysh në vitin 2021 me këtë emër “Akordet e Kosovës”, bashkë me trofeun “Okarina e artë”. Të drejtat e autorit dhe procedurat administrative, ku përfshiheshin edhe borxhet e pronat e ish-RTP-së, e bënë këtë kërkesë tejet të ndërlikuar për t`u realizuar. Qysh atëherë, kemi zhvilluar disa takime e diskutime të gjata, fillimisht me ministren Vlora Dumoshi, e më pas edhe më intensivisht me ministrin aktual të Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili me seriozitetin dhe përkushtimin e pashoq i dha mbështetje të menjëhershme realizimit të kësaj iniciative. Pas sigurimit të mbështetjes financiare nga MKRS, dua të sqaroj gjithashtu se bashkë me drejtorin e përgjithshëm, Shkumbin Ahmetxhekaj, kemi realizuar edhe disa takime me zyrtarë të AKP-së e të institucioneve të tjera përgjegjëse, me qëllimin që ky festival t’i marrë të gjitha të drejtat për përdorimin e emrit “Akordet e Kosovës”. Ky proces sa vinte e bëhej më i ndërlikuar, marrë parasysh pengesat e përmendura më lart, saqë po rrezikohej edhe vetë projekti për rikthimin e festivalit. Në fund të vitit 2022, vendosëm ta rikthejmë fillimisht festivalin. U dëshmua gjatë dy netëve të para të tij se nuk kemi gabuar. “Akordet…” u rikthyen ne skene, me vone mund t’ia rikthejme edhe emrin.

I uroj të gjithë kolegët e RTK-së, në krye me mjeshtrin e skenës e të festivaleve, Adi Krasta, të cilët i dhanë jetë këtij festivali.  Gëzuar

P.S

Për korrektësi. Nisma për ta themeluar një festival të RTK-së ka pasur në vazhdimësi. Vitin e kaluar kur nisëm hartimin e Rregullores, e gjetëm një version të  aprovuar të vitit 2009.

Sidoqoftë, ne e përditësuam, e në këtë grup punues të hartimit të Rregullores së re, ishin edhe artistë të mëdhenjë, Ilir Shaqiri dhe Rona Nishliu.